Ndërlidhjet

logo-print

Edhe nëse serbët e veriut të Kosovës e mbajnë referendumin, të cilin e kanë paralajmëruar për mesin e muajit shkurt, Beogradi zyrtar nuk ka pse të ndërmarrë ndonjë masë për anulimin e rezultatit të tij, sepse çfarëdo qoftë ai, nuk do të ketë efekt ligjor, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se rezultati i referendumit mund të prodhojë vetëm efekt politik.

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Fillimisht, nuk ka nevojë për të anuluar rezultatet, sepse ato nuk prodhojnë kurrë farë efekti ligjor. Ato kanë vetëm efekt politik. Referendumi, si i tillë, nuk mund të sjellë ndryshime në politikën e qeverisë, sepse ta themi në mënyrë objektive, tema për të cilën organizohet dhe mbahet është jashtë kompetencave të komunave. Prandaj, në këtë kuptim, efekti politik nuk ekziston, por ekziston ai politik, i cili nuk do të jetë pozitiv. Përkundrazi, vlerësohet si negativ ndikimi politik nga organizimi i referendumit”, thotë Ivanoviq.

Ai theksoi se pret nga udhëheqësit e serbëve në veri që të mendojnë mirë se çfarë pasojash mund të prodhojë referendumi.

Ndryshe, politikani serb nga veriu, Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, parti kjo opozitare në Serbi, thotë se mbajtja e referendumit është çështje e rëndësishme për serbët e veriut të Kosovës.

Por, sipas tij, Beogradi zyrtar vazhdon ta kundërshtojë mbajtjen e referendumit dhe deri më tani, siç thotë ai, lidhur me këtë çështje, serbët e veriut të Kosovës nuk kanë marrë kurrfarë përkrahje nga cilido qoftë zyrtar i Beogradit.

Nuk ka pasur mbështetje nga Beogradi zyrtar, por në anën tjetër kemi pasur mbështetje nga një numër i madh i partive opozitare.
Nuk ka pasur mbështetje nga Beogradi zyrtar, por në anën tjetër kemi pasur mbështetje nga një numër i madh i partive opozitare. Është fakt normal që Beogradi, për të arritur statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, është kundër kësaj. Në fakt është për krijimin e Kosovës së pavarur dhe për këtë arsye është gjetur në pozicion të kundër në raport me serbët e veriut të Kosovës. Por, para së gjithash, ne kemi mbështetjen e qytetarëve të Serbisë”, thekson Jakshiq.

Ai e ka quajtur të parëndësishëm mendimin e Qeverisë së Serbisë, për shkak se, sipas tij, qeverisë do t’i humbë legjitimiteti brenda 2 apo 3 muajsh, kur do të mbahen zgjedhjet në Serbi.

Ivanoviq gjithashtu pohon se serbët e veriut lidhur me referendumin nuk kanë mbështetjen nga asnjë zyrtar i Beogradit, por ai nuk e përjashton mundësinë që ata mbështeten nga disa parti opozitare.

Por, këtë mbështetje ai e sheh në kuadër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme në Serbi, ndonëse ajo ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Por, çfarëdo që të ndodhë lidhur me referendumin, Ivanoviq thotë se Beogradi zyrtar nuk do të marrë masa ndaj atyre që e organizojnë këtë referendum, e ata janë të ashtuquajturit kryetarë të komunave serbe në veri të Kosovës.

Nuk besoj se Beogradi do të ndërmarrë ndonjë masë represive. Thjeshtë, mendoj se nuk ekziston bazë ligjore për shpërndarjen e atyre komunave, ndonëse disa e kanë propozuar një gjë të tillë. Por, ajo që mund të pritet është fakti se mund të çrregullohen në mënyrë domethënëse marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të komunave, gjë që mund të reflektohet te banorët lokal”, thotë Ivanoviq.

Por, Jakshiq thotë se Beogradi zyrtar duhet ta pranojë referendumin, sepse rezultati i tij i obligon të gjithë në Serbi.

Pas referendumit, Beogradi nuk mund të shembë dhe shkelë edhe më tej Kushtetutën e Serbisë, ashtu siç ka bërë deri më tash me pranimin e menaxhimin e integruar të kufijve. Po shpresoj që me ndihmën e Zotit, këto autoritete në Beograd nuk do të qeverisin edhe shumë gjatë në Serbi, kështu që, mendimi i tyre nuk do të jetë i zbatueshëm”, shprehet Jakshiq.

Ai gjithashtu ka theksuar se qeveria e re serbe, e cila do të dalë pas zgjedhjeve, që priten të mbahen në Serbi, do ta pranojë rezultatin e referendumit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG