Ndërlidhjet


Kosova sërish renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, në raportin e fundit të publikuar të enjten nga Freedom House.

Raporti bën fjalë për të drejtat politike dhe liritë civile, kurse matjet janë bërë nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2011.

Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën gjendet edhe Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, kurse Serbia dhe Mali i Zi janë radhitur në kategorinë e vendeve të lira.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend gjithashtu pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që sipas Freedom House përcaktojnë lirinë e një vendi kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Sipas Freedom House, një vend është “pjesërisht i lirë” kur në të ka respekt të limituar të të drejtave politike dhe të lirive civile.

Shtetet “pjesërisht të lira” shpesh vuajnë nga një mjedis i korrupsionit, sundimit të dobët të ligjit, grindjeve etnike dhe fetare, si dhe nga një ambient politik në të cilin një parti e vetme e gëzon dominimin, pavarësisht shkallës së caktuar të pluralizmit.

Një vërejtje më serioze kësaj radhe i është dhënë Shqipërisë, e cila ka marrë këtë përkufizim.

“Shqipëria ka pësuar ulje për shkak të vrasjes së protestuesve të opozitës në muajin janar, politizimit të mekanizmave zgjedhorë lidhur me zgjedhjet komunale në maj, si dhe për shkak të dështimit të gjykatave për të gjykuar paanshmërisht një çështje korrupsioni kundër një politikani të lartë qeveritar”, thuhet për Shqipërinë në këtë raport.

Përgjithësisht, Freedom House vlerëson se kryengritjet në botën arabe në vitin 2011 i kanë inspiruar njerëzit e shtypur kudo nëpër botë.

Megjithatë, raporti thotë se për të gjashtin vit me radhë, ka rënë numri i vendeve, qytetarët e të cilave gëzojnë të drejta të plota politike dhe civile.

Raporti gjithashtu thotë se lëvizjet reformuese që ndodhën vitin e kaluar në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut kanë shënuar sfidën më të madhe për sundimin autoritar, që nga rënia e komunizmit sovjetik para 20 vjetësh.

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, zëvendës presidenti për kërkime i këtij grupi, Arc Pudington, tha se turbullirat politike që filluan në Tunizi dhe u përhapën në Egjipt dhe vende të tjera arabe, tregojnë se demokracia është e mundur edhe në shoqëritë më represive.

Po ndodhin ngjarje; njerëzit nuk duan më që të pranojnë mënyrën e vjetër të sundimit dhe për këtë arsye, ne e shohim vitin 2011 si arsyeje për optimizëm dhe jo për dëshpërim.
Në një rajon të botës, në Lindjen e Mesme, që është bërë imun nga vala e demokracisë që ka prekur çdo rajon tjetër të botës në vitet e 70-ta, 80-ta dhe 90-ta, demokracia tani është e mundshme edhe atje. Po ndodhin ngjarje; njerëzit nuk duan më që të pranojnë mënyrën e vjetër të sundimit dhe për këtë arsye, ne e shohim vitin 2011 si arsyeje për optimizëm dhe jo për dëshpërim”, ka thënë Pudington.

Indeksi “Liria në botë” i grupit Freedom House, që publikohet çdo vit që nga 1972-ta, matë aftësinë e njerëzve që të ushtrojnë të drejtat e tyre civile dhe politike në 195 shtete dhe 14 territore të botës. Raporti i cakton çdo vendi dhe territori statusin “I Lirë”, pastaj “Pjesërisht i Lirë” dhe “Jo i Lirë”, bazuar në performansën e tyre në treguesit kryesorë të demokracisë.

Në raport thuhet se në vitin 2011, 87 vende mund të konsiderohen të lira, njësoj sikurse në vitin 2010, shifër kjo që përfaqëson 43 për qind të popullatës së botës.

Ndërkohë numri i vendeve që kanë pësuar rënie të nivelit të lirisë – 26 – është më i madh sesa numri i vendeve që kanë pësuar ngritje të nivelit të lirisë, që është vetëm 12 vende.

Rënia e nivelit të lirisë, sipas raportit, është parë në Iran, Bahrejn, Liban, Arabi Saudite, Siri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen.

Ndërsa përkeqësim i nivelit të lirisë është parë në Azerbajxhan dhe Kazakistan, ndërsa dështime janë parë edhe në Hungari, Afrikë të Jugut dhe Ukrainë.(v.k.)
XS
SM
MD
LG