Ndërlidhjet

Guardian: Atje ku gjenocidi bëhet mjet politik


Francë, një monument ku shkruan "Në përkujtim të 1.5 milionë armenëve që u masakruan në vitin 1915".

Francë, një monument ku shkruan "Në përkujtim të 1.5 milionë armenëve që u masakruan në vitin 1915".


“Guardian”


Shkruan: Timothy Garton Ash



Të hënën e ardhshme, Senati i Francës do të votojë ligjin që konsideron vepër penale çdo mohim të gjenocidit armen më 1915, ashtu si edhe çdo ngjarje tjetër që legjislatura franceze e cilëson gjenocid.

Ligji tashmë ka kaluar në Asamblenë Kombëtare, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit francez. Por, Senati do të duhej ta refuzonte atë në emër të fjalës së lirë dhe në emër të nenit 11 të deklaratës së Francës për të drejtat e njeriut dhe qytetarit – ku thuhet se “shprehja e lirë e mendimeve dhe opinioneve është njëra nga të drejtat më të çmuara”.

Çështja këtu nuk është nëse mizoritë e kryera kundër armenëve në vitet e fundit të Perandorisë Otomane ishin të tmerrshme, ose nëse ato duhet të pranohen nga Turqia dhe Evropa. Pyetja është: a do të duhej të ishte krim, sipas ligjit të Francës apo cilitdo vendi tjetër, mëdyshja nëse ato ngjarje të tmerrshme përbënin gjenocid – një term i përdorur në të drejtën ndërkombëtare?

Duke mos minimizuar vuajtjet e armenëve, specialisti i njohur i otomanizmit, Bernard Livajs, e ka kontestuar këtë çështje. Dhe, a është parlamenti francez ai që do ta shndërrojë veten në gjykatë, duke hedhur poshtë vendimet për sjelljet e mëparshme të vendeve të tjera? Përgjigjja është: jo dhe jo.

Ligji do të kriminalizonte jo vetëm “kontestimin” e gjenocidit armen, por edhe “minimizimin fyes” të tij. Nëse llogaritjet turke të armenëve të vrarë sillen në rreth 500,000 ndërsa ato armene në 1.5 milion, çfarë do të llogaritej si minimizim? 547,000? Dhe, a do të duhej që kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, të arrestohej për një “minimizim” të tillë gjatë vizitës së ardhshme në Francë? (Projekt-ligji parasheh gjobë prej 45,000 eurosh dhe dënim me një vjet burg).

Marrë në konsideratë pamjen e mirë të natyrës njerëzore dhe politikat franceze, mund të thuhet se kjo është një përpjekje e ngathtë për të realizuar një qëllim fisnik. Kjo do të ishte naive.

Këtu ka një korrelacion të theksuar ndërmjet paraqitjes së propozimeve të tilla në Parlamentin e Francës dhe afrimit të zgjedhjeve nacionale, në të cilat rreth gjysmë milioni votues me origjinë armene, luan rol goxha të rëndësishëm.

Ajo çfarë u ka ndodhur armenëve është njohur si gjenocid nga ligji francez në dhjetor të vitit 2001 – vetëm pak kohë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Një ligj i ngjashëm me këtë ka kaluar në Dhomën e Ulët, por është refuzuar nga e Epërmja, në prag të zgjedhjeve të 2007-ës. Dhe, çfarë po ndodh këtë vit? Sërish zgjedhjet.

Megjithatë, jo të gjithë politikanët e partisë së Nikolas Sarkozit kanë mbështetur ligjin e propozuar nga njëri parlamentar i tyre. Ministri i Jashtëm, Allen Zhype, e ka kundërshtuar atë. Kjo, për shkak të shqetësimeve nga pasojat që mund të kishin marrëdhëniet Francë-Turqi.

Reagimi i Qeverisë turke ka qenë në fakt i vrullshëm. Ajo ka tërhequr ambasadorin e saj në shenjë proteste, ndërsa kryeministri Erdogan ka thënë se “rreth 15 për qind e popullatës në Algjeri i është nënshtruar masakrës së kryer nga francezët, duke filluar nga viti 1945. Ky është gjenocid”.

Dhe kështu, një tragjedi që do të duhej të ishte subjekt i përkujtimeve të rënda dhe i debatit të lirë historik, është shndërruar në një instrument të manipulimit politik. Numrat e djeshëm të kufomave janë shndërruar në numra të nesërm të votave.

Ndërkohë, intelektualët turq, të tillë si shkrimtari Orhan Pamuk, fitues i Çmimit Nobel, që kanë pasur guxim të thonë se ajo që u është bërë armenëve ka qenë gjenocid, rrezikohen të ndiqen penalisht në Turqi. Pra, ajo çfarë është e vërtetë në Francë, është gënjeshtër në Turqi.

Por, megjithatë, këto janë akte gjithnjë e më simbolike, sesa efektive. Në një vend si Franca, ndërsa me më shumë vështirësi në Turqi, interneti u mundëson njerëzve t’i gjejnë ato pikëpamjet e ndaluara. Ata janë vetëm disa klikime larg.(v.t.)
XS
SM
MD
LG