Ndërlidhjet

Procesi s'lëviz nga pika zero


Maqedoni...
Maqedoni...
Askush nga zyrtarët e qeverisë nuk komenton porositë e një dite më parë në Shkup të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Filip Riker, se vetëm pas zgjidhjes së kontestit rreth emrit mund të arrihet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Pas takimeve që zhvilluan me zyrtarin e lartë amerikan , kryeministri Gruevski dhe presidenti Ivanov, u deklaruan vetëm përmes komunikatave për shtyp, në të cilat, përveç aspekteve protokollare nuk kishte as edhe një qëndrim të tyre lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, që nuk arriti të lëvizë nga pika zero as në takimet e fundit të zhvilluara në Nju Jork, nën drejtimin e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic.

Duke komentuar situatën e këtillë, Alajdin Demiri, ish diplomat dhe profesor universitar, thotë se pushteti aktual edhe gjatë vizitës së Rikerit, por edhe gjatë takimeve të fundit në Nju Jork, vetëm sa dëshmoi mosdijeshmërinë për të zgjidhur problemin, ndërsa nuk përjashton mundësinë që porositë e zotit Riker, ti kundërshtojë ashtu siç bëri me komisionerin e BE-së, Shtefan Fyle, të cilin, e quajti madje armiqësor ndaj Maqedonisë.

Ky pushtet është i paaftë që këtë kontest ta zgjidhë, është i paaftë që ta anëtarësojë Maqedoninë në NATO dhe BE...
Ky pushtet është i paaftë që këtë kontest ta zgjidhë, është i paaftë që ta anëtarësojë Maqedoninë në NATO dhe BE dhe siç na kujtohet gjithëve herë pas herë pushteti gjithë diplomatët e huaj si Fylen edhe Rikerin i quan pakëz armiqësor ndaj Maqedonisë, tolerantë ndaj të tjerave, persona të padëshirueshëm e kështu me radhë. Ndërkohë, Maqedonia izolohet, pra ajo është më pranë një izolimi total sesa anëtarësimit në NATO dhe BE”, u shpreh Demiri.

Ndërkohë, Petar Arsovski, analist politik, pritjet e zyrtarëve se Maqedonia ndoshta do të anëtarësohet në NATO me referencën IRJM, i quan përralla për fëmijë të vegjël.

Unë nuk e di se edhe sa herë bashkësia ndërkombëtare duhet të përsërisë qëndrimin tashmë të njohur se ne së pari duhet të gjejmë zgjidhje të pranueshme me Greqinë, dhe më pas të shpresojmë anëtarësimin në aleancën e Atlantikut të veriut. Pra, ne duhet të ulemi dhe të kryejmë detyrat tona pasi gjithçka tjetër se gjoja ndërkombëtarët do të bëjnë presione që të anëtarësohemi me referencën e përkohshme, janë thjeshtë përralla për fëmijë”, tha Arsovski.

Por, sipas ish diplomatit, Alajdin Demirit, kontesti me Greqinë është shumë vështirë të zgjidhet edhe atë me fajin e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Problemi është se kjo VMRO e krijoi nocionin e origjinës së kombit maqedonas nga Greqia antike, filloi të përvetësojë Lekën e Madh, Filipn e Madh dhe shumë gjëra tjera nga historia antike...
Problemi është se kjo VMRO e krijoi nocionin e origjinës së kombit maqedonas nga Greqia antike, filloi të përvetësojë Lekën e Madh, Filipn e Madh dhe shumë gjëra tjera nga historia antike, dhe hapja e negociatave me Greqinë do të thotë edhe ridefinimi i këtyre pozitave. Është një distancim dhe një distinkcion mes Maqedonisë antike dhe Maqedonisë aktuale e cila duhet të ketë prefiks të këtillë dhe negociatat e këtillë pushtetit aktual nuk ka kapacitet që ti bëjë”, u shpreh Demiri.

Ndërkohë, dështimin e negociatave në Nju Jork e ka pranuar përmes një komunikate edhe Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën, madje kundërshtohet edhe njoftimi për shtyp i ndërmjetësit Mejtu Nimic, i cili, shprehu kënaqësinë nga siç ka thënë diskutimet konstruktive.

Nga Ministria e Jashtme shprehin keqardhje që bisedimet nuk dhanë asnjë rezultat në përafrimin e qëndrimeve.

Nga ana tjetër, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, kësaj radhe, përveç takimeve të ndara nuk kishte arritur të zhvillojë një takim të përbashkët me delegacionet e dy vendeve, ashtu siç kishte ndodhur më parë.
XS
SM
MD
LG