Ndërlidhjet

Situata në veri stabile, por e brishtë

  • RFE /RL

NATO

NATO


Komiteti Ushtarak i NATO-s, në përbërje të shefave të shtabeve të përgjithshme të ushtrive të vendeve anëtare, ka përmbyllur të enjten takimin dyditësh, në të cilin në praninë e komandantit të KFOR-it, është folur edhe për operacionin dhe situatën në Kosovë.

Siç ka thënë në konferencën për shtyp gjenerali danez, Knut Bartels, në këtë takim është përsëritur përkushtimi i NATO-s që të vazhdojë misionin në Kosovë.

Ne kemi për qëllim stabilizimin e situatës dhe që të lëvizim pozitivisht përpara. Jemi të vetëdijshëm për zhvillimet, të cilat kanë hasur në disa vështirësi ditëve të fundit. Pra, ne do të lëvizim hap pas hapi, por me kujdes, sa i përket lëvizjes për zvogëlimin eventual të forcave në Kosovë, ka thënë shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Bartels.

I pyetur të japë një vlerësim për situatën aktuale në Kosovë, Bartels ka thënë se situata në këto ditë më së miri mund të përshkruhet si “e qetë, por e brishtë”.

“Them e brishtë, sepse ne e dimë nga përvoja në Kosovë se situata shumë shpejt mund të ndryshojë - e kemi parë këtë në vitin 2004 dhe ne duhet të parandalojmë gjëra të tilla”, ka thënë shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Bartels ka theksuar se NATO-ja dëshiron që të krijojë kushte në Kosovë për një zgjidhje politike të situatës në veri, ku, sipas tij, përgjegjësi kanë edhe Prishtina edhe Beogradi.

I pyetur se cili është prioriteti momental i trupave të NATO-s në Kosovë, gjenerali Knut Bartels ka thënë se në këtë moment është prioritet ruajtja e stabilitetit në veri dhe siguria e lëvizjes së lirë.

Pos Kosovës, në këtë takim dyditësh është diskutuar edhe për misionin në Afganistan, si dhe për përgatitjet për samitin e Çikagos.

Komiteti ushtarak i NATO-s ka pasur një takim të enjten edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders fog Rasmusen, në të cilin është folur për pritjet që kanë autoritetet politike të NATO-s për kontributin e ushtarakëve në prag të samitit të Çikagos.

Siç dihet Komiteti Ushtarak është trupi më i lartë ushtarak i NATO-s dhe bën përgatitje dhe propozime, por vendimet, qoftë edhe për zvogëlimin eventual të trupave të KFOR-it në Kosovë, në fund i merr Këshilli i Përhershëm i NATO-s.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG