Ndërlidhjet

Mocion i ri për reciprocitetin


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës me shumicë votash miratoi mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë. Për votuan 59 deputetë, 41 kundër dhe një abstenim.

Mocioni i Partisë Demokratike të Kosovës e shfuqizon atë të 7 dhjetorit të inicuar nga Vetëvendosje për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, thanë se ky mocion parasheh që Qeveria e Kosovës t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj lidhur me çështjen e reciprocitet.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deklaroi se ky mocion i hap rrugë perspektivës së vendit.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, propozon këto rekomandime:1. Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm; 2. Qeveria e Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura; 3 Qeveria obligohet t’í raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit; 4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Grabovci.

Miratimi i këtij mocioni ka ngritur kundërshtime nga partitë parlamentare në opozitë. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka deklaruar se sa i takon propozimit të këtij mocioni, nuk ka ndonjë dallim mes atij të miratuar më 7 dhjetor 2011.

“Kemi votuar një mocion më herët dhe nuk shohim asnjë ndryshim që është në kuptimin pozitiv që do të ketë arsye që të bëhet një mocion tjetër. Për këtë arsye, Grupi ynë Parlamentar do të votojë kundër mocionit të propozuar nga PDK-ja”, u shpreh Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se ky subjekt është kundër shfuqizimit të vendimit të mëhershëm të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë. Sipas tij, mocioni i propozuar tregon qartë se nuk ka reciprocitet me Serbinë.

“Është absolutisht i papranueshëm për ne edhe si tekst, edhe si tendencë. Mocioni, të cilin e paraqiti shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, nuk ishte në asnjë mënyrë reflektim i debatit që e patëm këtu – pra, është një mocion, i cili flet për gjëra që as nuk u diskutuan, as nuk u prekën në këtë Kuvend. Aty janë futur edhe marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat nuk ishte debati. Debati ka qenë i orientuar edhe i përqendruar në diçka krejt tjetër. Konsiderojmë, po ashtu, se një pikë e atij mocioni veçanërisht ku kërkohet shfuqizimi i vendimeve të Kuvendit është një precendent i rrezikshme për këtë Kuvend”, deklaroi Ymeri.

Edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konsideruan se në këtë mënyrë, duke miratuar mocione të njëpasnjëshme, nuk mund të zgjidhen problemet.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pak para miratimit të mocionit, tha se për mocionin e PDK-së do të votohet kundër.

“Është një tendencë për të zhbërë diçka që ka ndodhur më përpara jo për të ndërtuar, por për të zhbërë atë që ka ndodhur më herët ”, tha Gjini.

Gjatë seancës së parë për këtë vit, deputetët e pozitës dhe opozitës zhvilluan një debat të ashpër.
Partitë opozitare e kundërshtuan mënyrën e propozimit të këtij mocioni nga PDK, duke vlerësuar se është dashur që së pari të ketë debat, e në bazë të debatit të nxirren rekomandimet, e jo siç ka propozuar PDK-ja që në fillim rekomandimet.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje thanë se kjo tendencë e PDK-së është tendencë për t’ia mundësuar Qeverisë ta shpërfillë Kuvendin.

Deputetët, derisa zhvilluan debat edhe për protestën e 14 janarit, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.

Opozita kërkoi nga të gjitha institucionet e vendit që të ndërmerren masa në drejtim të zgjidhjes së problemeve.

Por, një debat më i ashpër u zhvillua ndërmjet shefit të ekzekutivi kosovar Hashim Thaçi dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kryeministri Hashim Thaçi, deputetëve të Vetëvendosjes u tha se nuk janë pronarë të patriotizmit. Ai tha, po ashtu, se ka kaluar koha e “Stalinit, e Leninit dhe besa edhe e Musolinit”.

“Kur pushtetin nuk e kemi kërcënuar me demonstrata apo dhunë, kemi zhvilluar jetën parlamentare këtu. Prandaj, kam qenë kundër edhe kur më keni ftuar që t’ju përkrah edhe në demonstratën e shkurtit të vitit 2007 - ju kam thënë JO, rruga nuk është zgjidhje, sepse nuk ka pasur Kosova nevojë për viktima të reja në kohën paqes, kur është vrarë Mon Balaj dhe Arben Xheladini. Sot fëmija po rriten jetimë, duhet t’ju vijë turp”, u shpreh Thaçi, duke iu drejtuar deputetëve të Vetëvendosjes.

Kurse, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi se është duke i shërbyer Serbisë, siç tha ai, njëjtë sikurse që i kanë shërbyer më parë personat që sot cilësohen si tradhtarë të kombit.

“Lëvizja Vetëvendosje është edhe në Kuvend, edhe në institucione, po edhe në rrugë, në rrugët shqiptare të Kosovës. Por, kjo rrugë e kësaj Qeverie me këtë mocion që e ka propozuar, është rrugë e Ali Shukriut dhe e Sinan Hasanit. Udhëtim të këndshëm në këtë rrugë nuk mund t’ju dëshiroj, sepse nuk mund të keni. Udhëtimi dhe destinacioni i kësaj rruge për ju do të jenë edhe të pakëndshme dhe të palavdishme”, tha Kurti.

dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, kishte miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje, për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Mocioni ishte miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë që ishin vendosur më 20 korrik të 2011-s, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallrave nga Kosova.
XS
SM
MD
LG