Ndërlidhjet

Francë: Pezullohen programet e stërvitjes në Afganistan


Presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, i ka supsenduar të gjitha programet e stërvitjes për trupat afgane dhe operacionet e përbashkëta luftarake, pasi një ushtar i dyshuar afgan sot i ka vrarë katër ushtarë francezë, në pjesën lindore të Afganistanit.

Presidenti Sarkozi tha se është e “papranueshme” që ushtarët afganë t’i sulmojnë me të shtëna trupat franceze. Ai poashtu tha se Franca mund ta shqyrtoj tërheqjen e parakohshme të trupave të veta.

“Ne jemi miq të popullit afgan dhe ne jemi aleatë të popullit afgan, por unë nuk mund ta pranoj që ushtarët afganë të hapin zjarr kundër ushtarëve francezë. Nëse kushtet e sigurisë nuk janë të rregulluara qartaz, atëherë do të shtrohet çështja e tërheqjes së ushtrisë franceze”, tha Sarkozi.

Zyrtarët afganë thanë se 17 ushtarë të tjerë ishin plagosur në incident, që ndodhi në provincën lindore, Kapisa.

Në një deklaratë të sotme, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se “incidentet e tilla tragjike” ishin të “izoluara” dhe se NATO-ja mbetet e përkushtuar për t’i ndihmuar afganët, që ta marrin përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre, derisa trupat e jashtme përgatiten të largohen në vitin 2014.

Në një incident tjetër të sotëm, NATO-ja ka njoftuar se gjashtë ushtarë të jashtëm janë vrarë nga rrëzimi i një helikopteri ushtarak, në pjesën jugore të Afganistanit.

Talibanët e kanë marë përgjegjësinë për këtë përplasje, por NATO-ja tha se nuk ka pasur aktivitete të kryengritësve në atë hapësirë, në kohën e rrëzimit të helikopterit.
XS
SM
MD
LG