Ndërlidhjet

NYT: Demokracia e pavlerë hungareze


Hungari...

Hungari...


"New York Times"


Më 2 janar, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, së bashku me përcjellësit e tij, i rrethuar nga një grup i madh i policëve, e festoi vetveten në Operën e Budapestit. Ai po e pagëzonte Ligjin Themelor të tij, i cili e ka zëvendësuar Kushtetutën e Hungarisë.

Ky dokument e ka çuar në fund Republikën e Hungarisë dhe demokracinë shumëpartiake, dhe vlerësohet se mbetja e tij në fuqi, e siguron sundimin e administratës aktuale për një kohë të gjatë në të ardhmen.

Derisa mysafirët hynin në sallën e dekoruar të Operës, jashtë saj, në Bulevardin Andrashi, protestonin afro 100 mijë njerëz. Por televizioni shtetëror nuk tregoi asgjë nga kjo.

Radio Klub, që raportoi për kritikën publike, do të heshtet muajin e ardhshëm, pasi do t’i merret e drejta për transmetim.

Hungaria po fillon t’i përngjajë diktaturës pas sovjetike në Azinë Qendrore; disa bile e quajnë atë Orbanistan. Një numër i hungarezëve të rinj planifikojnë të largohen, shumica prej tyre në Evropën perëndimore.

Shumica prej tyre janë ndër më të talentuarit, sikur paraardhësit e tyre, që ishin larguar në vjeshtë të vitit 1956, pasi komunistët e shkatërruan revolucionin hungarez.

Ata që po mbesin, në përgjithësi flasin për atë që do të bëjnë me kursimet e tyre modeste, pasi qeveria tashmë ka depërtuar në xhirollogaritë private pensionale.

Shteti e ka bërë atë që mundet, duke e marrë çdo gjë nën kontrollin qendror, në duart e tij.

Do të jetë diçka tjetër nëse ekonomia e Hungarisë funksionon mirë. Por tri institucione udhëheqëse të rejtingut kreditor e kanë vënë Hungarinë në kategorinë më të ulët të mundshme: pa vlerë.

Një shtet pa vlerë, me administratë pavlerë dhe me kryeministër të pavlerë.

Prospekti i zymtë ekonomik do të duhej të mjaftonte për largimin e zotit Orban dhe të mbështetësve të tij, duke i zëvendësuar këta diletantë me një administratë të teknokratëve, deri në zgjedhjet e ardhshme, të parapara për vitin 2014.

Në të kundërtën, vendi do të konsumohet nga lufta e ftohtë civile ndërmjet pseudo-djathtistëve dhe pseudo-majtistëve.

Lojtarë kryesorë janë, në të shumtën e rasteve, fëmijët e kuadrove rurale për një kohë të shkurtër, disa prej të cilëve ishin funksionarë të grupit të të rinjve të Partisë Komuniste, ose pjesëtarë të vet partisë.

Hungaria rurale, nga e cila zoti Orban dhe partia e tij konservatore Fidesh, e kanë bazën, është e tjetërsuar nga kritika prej intelektualëve urbanë, që tentojnë ta mbështesin të majtën.

Përfitimi kryesor nga demokracia është mbrojtja, e garantuar me ligj, e dinjitetit të shtetasve të vet nga poshtërimi nga duart e liderëve të tyre.

Hungaria e zotit Orban, që është anëtar anti-evropian i Bashkimit Evropian, e vë sovranitetin e vet para lidhjes evropiane, duke e përdorë shprehjen “kombëtar” në çdo gjë, përfshirë edhe sovranitetin e administratës së vet.

Kjo inteligjencë neo-populliste, ndonjëherë neo-fashiste, shkon deri te romantizmi i kombit-shtet si bazë e saj ideologjike.

Ndjenja e fuqishme kombëtare është po ashtu e mirë për heshtjen e kritikës së brendshme. Hungarezët lehtë e mbështesin moton: një popull, një shtet, një lider.

Por, ardhmëria nuk është krejtësisht e errët. Çfarëdo sistemi i bazuar në propagandë dhe në besimin e lehtë, është i gjykuar të shkatërrohet shpejtë ose vonë. Ishim dëshmitarë të kënaqur të rënies së dy regjimeve autoritare: fashizmit dhe komunizmit. Përfundimi i të tretit është në horizont. (f. b.)
XS
SM
MD
LG