Ndërlidhjet

Miratohet mocioni i ri për reciprocitetin


Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë.

Pesëdhjetenëntë deputetë kanë votuar për, 41 kundër dhe një abstenim.

Ky mocion, sipas deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, parasheh që Qeveria e Kosovës t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj lidhur me çështjen e reciprocitetetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se ky mocion i hap rrugë perspektivës së vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit politik "Vetëvendosje", Visar Ymeri, tha se ky subjekt është kundër shfuqizimit të vendimit të mëhershëm të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë.

Ymeri tha po ashtu se mocioni i miratuar tregon qartë se nuk ka reciprocitet me Serbinë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Mocioni ishte miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë që ishin vendosur më 20 korrik të 2011-ës, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallrave nga Kosova.
XS
SM
MD
LG