Ndërlidhjet

Në raportin 676-faqesh, organizata Human Rights Watch ka vlerësuar përparimin e të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar në më shumë se 90 vende të botës. Raporti dokumenton abuzime me të drejtat e njeriut në mbarë botën, përfshirë: shkelje të ligjeve të luftës në Libi dhe Afganistan, censurë të internetit në Iran dhe Tajlandë, probleme me zgjedhjet në Rusi, keqtrajtime të emigrantëve në Evropën Perëndimore, shtypje të lirive fetare në Indonezi dhe Arabinë Saudite, tortura në Pakistan dhe Uzbekistan, si dhe dënime pa gjyq në Malajzi dhe nga SHBA-ja.


PJESA PËR KOSOVËN


Hyrje

Situata e të drejtave të njeriut në Kosovë ka shënuar përmirësim të vogël gjatë vitit 2011, thuhet në raportin më të ri të organizatës për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”.

Sistemi i drejtësisë, sipas këtij raporti, mbetet i dobët, me gjithë përpjekjet për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për korrupsion dhe për krime lufte.

Zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2010 nuk kanë shënuar ndonjë incident të dhunshëm, por janë dëmtuar nga parregullsitë që i kanë bërë vëzhguesit ndërkombëtarë t’i vënë në pikëpyetje rezultatet, thuhet në raport.

Po sipas tij, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas mbetet i margjinalizuar dhe i cenuar nga diskriminimi.


Mbrojtja e minoriteteve

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim - sidomos në strehim dhe qasje në shërbimet publike - si dhe me papunësi të lartë, braktisje të shkollave dhe norma të larta të vdekshmërisë.

Pas incidentit me zjarr në apartamentet e tyre sociale në Plemetin, rreth 250 romë, ashkalinj dhe egjiptas janë detyruar të kalojnë në një kamp të improvizuar, pa energji elektrike dhe pa qasje të qëndrueshme në ujë të pijshëm. Gjatë përpilimit të raportit, riparimet në apartamentet e tyre kanë qenë të papërfunduara dhe ata vazhdojnë të mbesin në kampe.

Tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në veri të Kosovës janë intensifikuar në muajin gusht, kur autoritetet kosovare kanë vënë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë.

Serbët në veri kanë mbajtur bllokada dhe protesta që kanë vazhduar deri në muajin nëntor. Një polic i Kosovës është vrarë nga protestuesit serbë gjatë një përleshjeje kufitare në fund të korrikut. Ndërkaq, në shtator, janë plagosur disa serbë dhe paqeruajtës të KFOR-it, në një konfrontim mbi bllokadat serbe pranë pikave kufitare.

Sipas Zyrës së Prokurorisë së Kosovës, prokurorët vendorë kanë pranuar raporte për 60 incidente ndëretnike gjatë nëntë-mujorit të parë të 2011-ës. Ndonëse sipas raporteve të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shumica ishin incidente të vogla, përfshirë vandalizmin në vendet fetare në janar dhe shkurt, ato kanë përfshirë edhe një numër të sulmeve të rënda dhe të vrasjeve.

Në tetor është vrarë një person serb, ndërsa djali i tij është plagosur në një fshat të Rahovecit.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare të bëjnë më shumë për të mbrojtur të kthyerit serbë në një fshat të Ferizajt, pas një zjarrvënieje të qëllimshme në varrezat ortodokse, në muajin tetor.


Mosndëshkimi, përgjegjësia dhe qasja në drejtësi

Rigjykimi i pjesshëm i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe i komandantëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, në Tribunalin e Hagës ka nisur në muajin gusht.

Një dëshmitar kyç që nuk ka pranuar të dëshmojë në gjykimin e parë, ka refuzuar sërish të jepte prova, duke përmendur frikën për sigurinë e tij.

Në muajin janar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar një raport të parlamentarit zviceran, Dik Marti, i cili pretendon se disa pjesëtarë të ish-UÇK-së, përfshirë zyrtarë të tanishëm të Kosovës, kanë marrë pjesë në rrëmbimet e pas-luftës, në zhdukje të detyruara, në trafikim të dyshuar organesh, si dhe në krim të organizuar, përfshirë kontrabandën e armëve dhe të drogës.

Në maj, Bashkimi Evropian ka miratuar një forcë speciale të misionit të tij për sundimin e ligjit në Kosovë, për t’i hetuar akuzat.

Ndërkaq, në muajin tetor në Prishtinë është hapur gjykimi i shtatë kosovarëve të akuzuar për trafikim organesh dhe qeniesh njerëzore - i njohur ndryshe si rasti “Medicus”. Të pandehurit akuzohen për joshjen e donatorëve nga vende të varfra me premtime të rreme si çmim për veshkat e tyre.

Ndjekja penale e Fatmir Limajt, anëtar i Parlamentit nga partia në pushtet, është shtyrë nga marsi deri në shtator, për shkak të konfuzionit nëse ai kishte imunitet parlamentar. Në shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sjellë vendimin, sipas të cilit, ligjvënësit nuk janë imunë nga ndjekja penale, ndërsa më pas Gjykata e Qarkut ka urdhëruar vendosjen e Limajt nën arrest shtëpiak. Limaj akuzohet për, siç thuhet, “torturim dhe vrasje të të burgosurve serbë dhe shqiptarë në Kleçkë, më 1999”.

Gjykimi u përball me kthim prapa në fund të shtatorit, kur dëshmitari kyç, Agim Zogaj, edhe pse nën mbrojtje, u gjet i vdekur në një park të Gjermanisë. Ndërsa hetimet e policisë gjermane treguan se bëhet fjalë për vetëvrasje, familja e Zogajt kritikoi mbrojtjen e EULEX-it, duke thënë se Zogaj ka qenë nën presion intensiv.


Liria e mediave

Në një letër të hapur në muajin shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kristofer Dell, ka akuzuar tri media: “Koha Ditore”, “Koha Vizion” dhe “Express”, për sjellje të paligjshme, pasi kishin raportuar mbi tekstin e mesazheve dhe një bisedë të regjistruar ndërmjet ambasadorit Dell dhe politikanëve kosovarë, gjatë zgjedhjeve presidenciale të po këtij muaji.

Në muajin mars, Reporterët pa Kufij kritikuan ndërhyrjen e Dellit duke e quajtur “të papranueshme”.

Në muajin gusht, EULEX-i lëshoi padi kundër Rexhep Hotit dhe katër punonjësve të tjerë në të përditshmen kosovare “Infopress”, pas kërcënimeve të bëra në maj dhe qershor kundër gazetares Jeta Xharra. Kërcënimet pasuan raportimin e Xharrës për kufizimin e lirisë së mediave në Kosovë. Personat e akuzuar, nëse dënohen, mund të përballen me pesë vjet heqje lirie.


Aktorët kryesorë ndërkombëtarë

Në muajin shkurt, kreu i Misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, theksoi para Këshillit të Sigurimit nevojën për hetim të shpejtë të akuzave për krime lufte dhe trafikim organesh, të cilat i vë në pah raporti i Këshillit të Evropës.

Ai, po ashtu, vuri në dukje “parregullsitë dhe manipulimet me vota” gjatë zgjedhjeve të dhjetorit 2010. Parregullsitë zgjedhore u kritikuan edhe në muajin janar nga Ulrike Lunaçek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.

Raporti vjetor i Progresit, që lëshohet nga Komisioni Evropian, theksoi po ashtu “mangësi serioze” në zgjedhjet e 2010-ës, si dhe nevojën për më shumë përpjekje për të luftuar krimin e organizuar, duke përmendur “mbrojtjen e dobët të dëshmitarëve” si pengesë të veçantë.

Raporti i KE-së u ka bërë thirrje autoriteteve të bëjnë më shumë për t’i mundësuar komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas qasjen në “arsim, kujdes shëndetësor, strehim dhe mbrojtje sociale”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG