Ndërlidhjet

logo-print
Në dekadën e fundit në Kosovë, një ndër ndryshimet e mëdha në sistemin e komunikimit është përhapja dhe përdorimi i telefonave celularë, nga të gjitha shtresat, por në nivel më të lartë përdoret nga të rinjtë.

Celulari për këtë kategori të shoqërisë, është bërë mjet i pandarë dhe pjesa dërrmuese e tyre thonë të jenë bërë të varur nga ai. Madje, është krijuar përshtypja që, të mos kesh një telefon celular është turp.



Në rubrikën e përjavshme “VOX”, në programin tonë, të rinjtë thonë se është i dobishëm dhe i domosdoshëm për njeriun përdorimi i telefonave të lëvizshëm.

Ata shprehen se një pjesë të madhe të kohës e kalojnë duke shfrytëzuar funksionet e llojllojshme që ofron telefoni mobil, duke e përdorur, siç thonë, për komunikim, mesazhe, por edhe për lojëra, për të dëgjuar muzikë, apo edhe për fotografi dhe video-incizime.

Selime Sylejmani, nga Ferizaj, është studente në Fakultetin e Edukimit. Ajo konsideron se telefoni celular është i nevojshëm për marrjen e informacioneve në kohën e duhur.

“Telefonin e shfrytëzoj më tepër për komunikim dhe mesazhe. Nuk kam ndonjë telefon të shtrenjtë, por vetëm sa të dërgoj shpejt mesazhe dhe të dëgjohet mirë. Përdorimi i telefonit është bërë shumë primar dhe çdo të dytin njeri në rrugë e takon me telefon në dorë”, thotë studentja Selime Sylejmani.

Se është i varur nga telefoni pohon edhe Behar Korrani. Ai thotë se në shumicën e rasteve celularin e përdor për të shkëmbyer mesazhe mes shokëve dhe kolegëve të tij:

“E përdori telefonin shumë, më së shumti për sms-sa. Gjatë ditës dërgoj deri në 20 mesazhe. E, tjerat funksione që i përdori janë facebook-u , fotot, ndonjëherë dhe luaj shumë lojëra. Do të thotë, telefoni është bërë pjesë e pandashme e jetës”.

Përdorimin i internetit nga kompani të telefonisë mobile është gjithashtu interesim për të rinjtë kosovare, thotë 22-vjeçari, Safet Halili:

“Vështirë është sot të mos kesh telefon, sepse jeta është e tillë, është zhvilluar aq shumë, sa pa telefon, nuk di si mund të funksionojë. Po tash është zhvilluar teknologjia shumë dhe telefonat e rinj, si për shembull, Iphone, mund të përdoren edhe për internet edhe facebook, për lajme të ditës. Sa më i avancuar të jetë telefoni, aq më lehtë ke qasje në internet”.

Arjeta Zekolli, studente në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Fakultetin e Edukimit, tregon arsyen e mbajtjes së telefonit.

“Më shumë për komunikim, mesazhe, pastaj orë në dorë nuk mbaj dhe e shfrytëzoj për këtë qëllim. Më shumë jo, nuk më duket shumë interesant”, tregon Arjeta Zekolli.

Por, të riun tjetër Fidaim Gashi, celulari e tërheq për të dëgjuar muzikë.

“Këto ditë telefoni nuk është mjet ekstra, por është një mjet i domosdoshëm. I përdor edhe funksionet tjera, si për muzikë, lojëra të ndryshme, radion e dëgjoj në përgjithësi, kryesisht gjatë kohës së lirë, gjatë pushimit që e kemi në fakultet”, thotë Fidaim Gashi.

E, ka edhe të atillë që nuk mund ta paramendojnë jetën pa celular. Një prej tyre është edhe Albina Bajrami, e cila thotë:

“Unë mendoj se telefoni ka rëndësi primare, si për komunikim, shikimi i orës, apo funksionet tjera. Plotëson nevoja të ndryshme. Më herët kushtet kanë qenë shumë të vështira, nëse ke pasur nevojë të dërgohet ndonjë letër, mënyra e vetme ka qenë përmes postës, por tashmë telefoni është mjet komunikimi primar, pa të cilin nuk mund ta paramendoj jetën në kohën që jetojmë”.

Të njëjtin mendim e ka edhe i riu tjetër, Berton Çuni, nga Gjakova:

“Thirrje, mesazhe... Mendoj se është bërë pjesë e jetës sonë, jetojmë në kohën e teknologjisë”.

Telefoni i lëvizshëm është një mjet për të menaxhuar vetminë dhe izolimin, thotë Dardan Bytyçi, 21-vjeçar. Por, një gjë e tillë nuk po iu mundësohet të rinjve kosovarë, thotë Dardani duke qeshur, pasi, sipas tij, kompanitë e telefonisë mobile që veprojnë në Kosovë, kanë vënë çmime të larta për biseda.

“Në sms jam i ngathtë, nuk shkruaj dot shpejt, zakonisht vetëm për thirrje e përdori. Mendoj se çmimet janë shumë të larta, po harxhohet shpejt, sepse ne mbi një euro nuk i mbushim telefonat. Prandaj, mendoj se edhe ne, studentët, do të ishte mirë të kishim një rrjet, me një kosto më të ulët për komunikim, sepse po kemi shumë nevojë. Po e përdorim facebook-un, por po na merr kohë shumë. Një rrjet më i shpejtë i komunikimit është i nevojshëm dhe me shpenzime më të ulëta, sepse edhe ne studentet e shfrytëzojmë telefonin me të njëjtat çmime sikurse një biznesmen apo punëtor që ka pagë”, shprehet studenti Dardan Bytyçi.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG