Ndërlidhjet

Policia: Barrikada për qarkullim të lirë



Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani njoftoi se situata në dy pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, në afërsi të kufirit me Serbinë, ku janë përqendruar protestuesit është e qetë, ndërsa vazhdon të jetë e lirë për qarkullim njëra korsi e rrugës magjistrale.

Kelani konfirmoi se policia ka dërguar barrikada të hekurta për të mundësuar qarkullimin e lirë në njërën korsi, e cila po mbahet e hapur, nga qytetarët, të cilët po marrin pjesë në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila synon bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

“Po ato barrikada jnë vendosur vetëm për shkak të mundësisë së qarkullimit të lirë, sepse lëvizjet e qytetarëve nganjëherë po bllokohet edhe korsia tjetër e cila është e lirë, por nuk ka qëllim tjetër. Ato janë vendosur vetëm për sigurinë e protestuesve dhe automjeteve që po kalojnë në atë pjesë”, tha Kelani në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë Kelani tha se është informuar se Policia ka konfiskuar disa mjete logjistike, si tenda e reflektorë, të nevojshëm për mbarëvajtjen e protestës gjatë natës, afër vendkalimit kufitar te Dheu i Bardhë.

Zëdhënësi Kelani ka thënë se policia do të veprojë konform situatës dhe ligjeve në fuqi, por nuk ka pohuar e as mohuar mundësinë e kërkesës për shpërndarje të protestës.
XS
SM
MD
LG