Ndërlidhjet

logo-print

VV: Policia po shkel të drejtat elementare të protestuesve


Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka thënë se tek protesta që po zhvillohet në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë, “Policia e Kosovës po e ndalon dhe pamundëson depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve që po vazhdojnë të qëndrojnë atje”.

Në të njejtën kohë, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, Policia e Kosovës “po ushtron presion ndaj protestuesve duke i detyruar vozitësit e autobusëve që të afrohen tek protestuesit dhe t’i mbledhin ata nga vendi i protestës. Ata iu kanë dhënë vozitësve të autobusëve afat prej 20 minutave për t’u kthyer mbrapa me apo pa protestuesit”.

Po ashtu, njofton VV, edhe “afër vendit ku po protestohet në Merdare policia ka ndaluar furgonin që bartte drunj për ngrohje duke i konfiskuar drunjtë dhe duke e përcjellë vozitësin për në stacionin e policisë”.

“Policia kësaj radhe në vend të intervenimit po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore. E dënojmë këtë akt të dhunshëm”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se ka informacione për konfiskimin e materialit logjistik për protestuesit afër pikës Dheu i Bardhë, por se ky informacion nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG