Ndërlidhjet

2 me 1 për BE-në


Kroaci...
Kroaci...

"New York Times"

Kroatët votuan të dielën për t’iu bashkuar BE-së, duke i dhënë në këtë mënyrë sinjale bllokut se ende ruan joshje për vendet joanëtare, pavarësisht krizës së borxheve që përfshiu monedhën euro, që përdoret nga shumica e vendeve anëtare.

Në Kroaci, komisioni shtetëror për referendumin njoftoi se pothuajse me të gjitha votat e numëruara, del se rreth 66 për qind të votuesve kroatë mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në BE, përderisa 33 për qind të votuesve e kundërshtuan një gjë të tillë, ndërsa 1 për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme.

Komisioni njoftoi se pjesëmarrja në votimin e djeshëm ishte 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Përderisa dikur shihej si një rrugë e sigurt për prosperitet, anëtarësimi në BE është njollosur kohët e fundit nga lufta e bllokut për tu përballur me krizat e borxheve në disa prej 17 vendeve anëtare që e përdorin euron.

Pavarësisht kësaj, pothuajse të gjithë liderët politikë në vend dhe anëtarët e Parlamentit Kroat i kanë thënë “po” pranimit të Kroacisë në bllok.

Nëse Kroacia pranohet në Bashkimin Evropian, ashtu siç është paralajmëruar, më 1 korrik të vitit 2013, atëherë ajo do të obligohet që të adaptojë euron gjithashtu, edhe pse jo menjëherë.

Një gjë e tillë nuk do të kërkohej të ndodhte deri në kohën kur vendi prej 4.5 milionë banorëve t’i përmbushte kriteret ekonomike për t’iu bashkuar monedhës.

Kryeministri kroat, Zoran Millanoviq ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri në vitin 2015 apo 2016.

Për shkak të trashëgimisë së saj të politikës nacionaliste, Kroacia nuk ishte përfshirë në dy valët e fundit të zgjerimit të Bashkimit, në vitin 2004 dhe 2007. Nga shtetet, me të cilat, bashkë me Kroacinë, ishte formuar ish-Jugosllavia, deri më tani në Bashkimin Evropian është pranuar vetëm Sllovenia, në vitin 2004.

Bashkimi Evropian nuk ishte pajtuar që t’i fillonte bisedimet për anëtarësim me Kroacinë deri kur Shërbimi Kroat i Zbulimit ndihmoi në gjetjen e një ish-gjenerali të luftërave ballkanike të viteve 1990, Ante Gotovina, i cili në fund ishte arrestuar në Spanjë.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e dënoi atë për krime lufte.

Pas votimit, presidenti i vendit, Ivo Josipoviq citohet të ketë thënë: “ Kjo është një ditë e madhe për Kroacinë dhe viti 2013 do të jetë një kthesë e rëndësishme në historinë tonë”.

Ndërkohë, në një deklaratë të përbashkët, presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso dhe presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompoj këtë lajm e kanë quajtur të mirë për Kroacinë, për rajonin dhe për gjithë Evropën.

Kundërshtarët e anëtarësimit pretendojnë se vendi do ta dorëzojë pavarësinë që sapo e ka fituar, dhe se bizneset dhe fermat kroate do të jenë të paafta për të konkurruar në treg.

Pas shumë vitesh negociatash me bllokun, Kroacisë iu desh që të plotësonte kritere më të ashpra sesa kandidatët e tjerë, veçanërisht sa i përket sistemit të drejtësisë, për shkak të shqetësimeve lidhur me korrupsionin dhe probleme të tjera që u shfaqën në Rumani dhe Bullagri, pas anëtarësimit në BE.

Traktati për anëtarësimin e Kroacisë në BE duhet të ratifikohet nga parlamentet e 27 vendeve anëtare në bllok.

Kur të përfundojë edhe kjo procedurë, ka gjasa që Kroacia të jetë vendi i fundit i ri që do t’i bashkohet BE-së për shumë vite të tjera. Islanda dhe Turqia janë kandidate, por bisedimet me Turqinë kanë ngecur në masë të madhe dhe mbështetja publike për anëtarësimin Islandës në Bashkimin Evropian është shumë e vogël, përfundon artikulli i të përditshmes amerikane. (v.k.)
XS
SM
MD
LG