Ndërlidhjet

VV: Do t'i shërbejmë reciprocitetit



Lëvizja Vetëvendosje pasi ka përmbyllur protestat në kufi me Serbinë, ende nuk ka një qëndrim të prerë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të kësaj lëvizjeje.

Deputeti Rexhep Selimi nga Vetëvendosje në një prononcim për Radion Evropa e Lirë deklaroi se pas ndërprerjes së protestës kryesia e Vetëvendosjes dhe Grupi Parlamentar, pritet të dalin me qëndrimet e tyre.

Megjithatë deputeti i Selimi ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme dhe nuk do të lëvizë nga qëndrimet e saja.

Është shumë e kuptueshme që ne do të jemi konsistentë në punën dhe objektivat tona qe i kemi. Asnjëherë ne nuk do të jemi të heshtur as nuk do të pranojmë që Serbia të vazhdojë të ketë prezencën e saj politike, ekonomike dhe strategjike ne formën çfarë është tani”.

Reciprociteti do të jetë parim të cilit do t’i shërbejmë në vazhdimësi pavarësisht formave, pavarësisht mënyrës dhe vendit të protestave”, deklaroi Selimi.

Ai po ashtu ka theksuar se Vetëvendosja do të protestojë sa herë që është e nevojshme.

Gjithmonë mendoj të mos ketë nevojë, po sa herë që ka nevojë Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë në gjë të tillë, gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarit”, u shpreh Selimi.

Ndryshe, Vetëvendosje e ka përmbyllur protestën pas më shumë se 12 orësh qëndrimi në rrugë, në afërsi të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.

Kjo protestë kishte për qëllim bllokimin e hyrjes së mallrave serbe nga Serbia në Kosovë.

Zyrtarët e Vetëvendosjes, ne nje konference për media kanë thenë se për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturës së ultë, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve në rrugë.

Dardan Molliqaj tha se Policia e Kosovës ka pamundësuar mbajtjen e protestes

Edhe kete here policia ishte tersisht anti-ligjore, duke mos nderhyrë dhunshëm në protestë, pra duke pranuar protestën si të drejt legjitime paqësore ajo e luftoj cdo mjetë të ekzistencëns së saj, duke përfshirë ketu ushqimin ujë, pijet tendat, gjeratoret reflektoret etj. Qeveria u tha qytetarëve keni të drejt të protestoni kësaj radhe për dallim më 14 janar por nuk keni të drejt të hani, pini e as të ngroheni”, tha Molliqaj.

Mirëpo, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se në asnjë rast protestuesit nuk janë penguar për të protestuar, e aq më të ushqehen.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë, se protesta u ndërpre për shkak të numrit të vogël të protestuesve.

"Kurse, sa i takon ushqimit dhe veshmbathjeve për protestuesit, ju e dini që Policia e Kosovës gjatë gjithë ditës ka lejuar që ato të shkojnë te protestuesit dhe ato janë parë edhe në xhirimet e drejtpërdrejta nga shumë mediume”, deklaroi Kelani.

Qeveria e Kosovës gjatë kohës sa po mbaheshin protestat, ka lëshuar një komunikatë për media duke thënë se “protesta është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, në komunikatë është thënë se protesta “ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG