Ndërlidhjet

BE-ja miraton embargo kundër naftës iraniane


Bashkimi Evropian zyrtarisht e ka miratuar një embargo kundër naftës së Iranit, si pjesë e sanksioneve ndaj programit të tij bërthamor.

Diplomatët thonë se masat e miratuara sot në Bruksel nga 27 ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfshijnë embargo të menjëhershme ndaj kontratave të reja për produketet e naftës iraniane. Kontratat ekzistuese me Iranin do të respektohen deri më 1 korrik.

Sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg tha se masat janë pjesë e planit të sanksioneve, duke shtuar se një gjë e tillë e dëshmon zgjidhjen e BE-së rreth kësaj çështjeje.

BE-ja aktualisht e blen rreth një të pestën e eksportit të naftës iraniane, që është pasuria më e vlefshme e Iranit.

Pritet që ministrat e BE-së të pajtohen edhe rreth masave të tjera shtrënguese që kanë të bëjnë me bankën qëndrore të Iranit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton tha se presioni i sanksioneve është bërë për t’u siguruar se Irani i merr seriozisht kërkesat e BE-së për t’i vazhduar bisedimet me Teheranin rreth programit të tij bërthamor.

“Ne do t’i diskutojmë dhe finalizojmë sanksionet shtesë ndaj Iranit, veçanërisht duke u fokusuar në bankën qëndrore dhe eksportin e naftës. Por unë dua që të përsëris se kjo është pjesë e përpjekjeve për të pasur një qasje të dyfishtë. Presioni i sanksioneve është dizajnuar në përpjekje për t’u siguruar se Irani e merr seriozisht kërkesën tonë që të ulet në tryezë e të takohet me ne”, ka thënë sot Eshton.
XS
SM
MD
LG