Ndërlidhjet

Siri: Refuzohet plani paqësor i Ligës Arabe


Siri...
Siri...
Siria e ka refuzuar planin më të ri të Ligës Arabe për paqe, sipas të cilit presidenti Bashar al-Asad, do ta dorëzonte pushtetin te zëvendësi i tij.

Plani i Ligës Arabe për paqe në Siri, sipas Televizionit Shtetëror të Sirisë, është kundërshtuar nga një zyrtar i paemëruar i regjimit në kryeqytetin Damask.

Raportohet se ky zyrtar e ka përshkruar planin si “sulm në sovranitetin e Sirisë dhe ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme”.

Më herët ministri i jashtëm i Katarit, Sheik Hamad bin Jasim al-Thani, e ka paraqitur planin ambicioz për reforma politike në Siri.

Pjesëtarë të Ligës Arabe
Pjesëtarë të Ligës Arabe
Pas konsultimit me të gjithë vëllezërit tanë arabë në Ligën Arabe, ne u pajtuam për krijimin e një nisme arabe, pikat më të rëndësishme të së cilës janë, krijimi i qeverisë kombëtare të unitetit, caktimi i një trupi neutral, delegimi i fuqive te zëvendëspresidenti, përcaktimi i shkallëve për zgjedhje, pasuar nga Kushtetuta, dhe krijimi i një Asambleje përfaqësuese”, tha al-Thani.

Liga Arabe, e përbërë nga 22 shtete, tha se ky plan paqësor do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbështetje.

Këshilli Kombëtar i Sirisë, grupi më i madh opozitar, ka këmbëngulë se “çfarëdo tranzicioni në Siri, duhet të zhvillohet me një shpallje për largimin e Asadit”.

Komiteti i Koordinimit Lokal, grup tjetër opozitar, që i organizon protestat kundër regjimit, tha se plani ishte i pa realizueshëm për shkak të mungesës së mekanizmit për implementimin e masave.

Sipas këtij grupi, nisma arabe vetëm do t’i mundësonte më tepër kohë regjimit për të vazhduar goditjen vdekjeprurëse.

Në Bruksel, diplomatët thanë se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, e kanë mbështetur planin arab dhe i kanë zgjeruar sanksionet ekzistuese kundër qeverisë së presidentit al-Asad, duke i përfshirë në listën e zezë 22 zyrtarë të tjerë dhe tetë kompani.

Duke u shprehur për planin arab, sekretari i jashtëm britanik, Uilliem Hejg, tha:

Mendoj se angazhimi dhe aktiviteti i tyre me ne, përpjekja e tyre për të siguruar ecje paqësore përpara, është për t'u përshëndetur dhe mbështetur.
Ne e mbështesim punën e Ligës Arabe. Mendoj se angazhimi dhe aktiviteti i tyre me ne, përpjekja e tyre për të siguruar ecje paqësore përpara, është për t'u përshëndetur dhe mbështetur. Qartaz, ende nuk e ka pasur efektin e dëshiruar dhe represioni në Siri ka vazhduar, ka vazhduar humbja e jetëve në mesin e civilëve, por mendoj se është e rëndësishme për Ligën Arabe, që të mbetet në ballë të kësaj pune”, tha Uilliem Hejg.

Në takimin e Ligës Arabe në Kajro të Egjiptit, të dielën, ministrat e vendeve anëtare thanë se e kanë zgjatur misionin e tyre vëzhgues prej 165 vetëve, edhe për një muaj.

Më parë këta monitorues ishin kritikuar për dështimin që ta ndalin dhunën.

Kombet e Bashkuara thonë se më se 5 mijë njerëz janë vrarë në Siri, në 10 muajt e kryengritjes kundër al –Asadit.

Qeveria e Sirisë thotë se po lufton kundër “terroristëve dhe bandave të armatosura”.

Presioni ndërkombëtar kundër regjimit është në rritje e sipër, por një rezolutë e ashpër e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, ishte bllokuar nga vetoja e Rusisë dhe e Kinës.

Gazeta ruse, Komersant, ka raportuar se Moska ka nënshkruar një kontratë prej 550 milionë dollarësh për shitjen e 36 aeroplanëve luftarak Yak 130 në Siri.

Por, një zëdhënësi i kompanisë Rosoboronexport ka refuzuar të bëjë komente lidhur me këtë çështje. (f. b.)
XS
SM
MD
LG