Ndërlidhjet

logo-print

BE: Serbia afër statusit

  • RFE /RL

Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel

Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë duke vazhduar takimin e tyre në Bruksel, në të cilin, gjatë drekës kanë diskutuar edhe për raportet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga burimet diplomatike të BE-së, mësohet se shumë Ministra të Jashtëm kanë shprehur mendimin e tyre se Serbia është shumë afër për të marrë statusin e vendit kandidat.

Shumë ministra thuhet të kenë thënë se Qeveria e Serbisë dhe presidenti Boris Tadiq kanë bërë shumë për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar Komisioni Evropian dhe BE-ja për të marrë statusin e kandidatit, prandaj ata me optimizëm shohin kah fundi i muajit shkurt dhe mesi i muajit mars si data kur Serbisë, më në fund, do të mund t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Këtë e ka thënë publikisht të hënën gjatë takimeve edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindëleger, ndërsa këtu po qëndron edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq.

Jeremiq ka pasur takim bilateral me disa ministra të BE-së, përfshirë Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Gido Vestervelle, i cili përfaqëson shtetin i cili ishte kyç në mosdhënien e statusit të kandidatit Serbisë në muajin dhjetor.

Burimet e BE-së pohojnë se nuk ka pasur ndonjë diskutim të gjatë për Kosovën, mirëpo është thënë nga shumë folës se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun dhe duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash si dhe të punojnë edhe më shumë për marrëveshje të reja.

Për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ecurinë e dialogut ka folur Ketrin Eshton, përfaqësuse e lartë e BE-së për siguri.

Zyrtarët e BE-së pohojnë se inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë sa më parë dialogun dhe të vazhdojnë të jenë konstruktiv në këtë dialog.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG