Ndërlidhjet

logo-print

Ambient i papërshtatshëm për të drejtat e njeriut


Prishtinë...

Prishtinë...


Raportet e fundit të organizatës për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” dhe të organizatës “Freedom House”, të cilat u publikuan gjatë këtij muaji, e renditin Kosovën në radhën e vendeve pjesërisht të lira, por edhe si një ku situata e të drejtave të ka shënuar përmirësim të vogël gjatë vitit 2011.

Përfaqësuesit organizatave joqeveritare në Kosovë, të cilat mbikëqyrin realizimin e të drejtave të njeriut, thonë së realizimi i këtyre të drejtave në Kosovë është i kushtëzuar nga rrethanat dhe zhvillimet nëpër të cilat po kalon vendi.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vlerëson se Kosova aktualisht nuk është një ambient i përshtatshëm për të shënuar përparim në realizimin e të drejtave të njeriut.

Kosova, me një ambient ku afër 70 për qind janë të varfër - prej tyre 20 për qind jetojnë me më pak se 1 euro në ditë, me një papunësi prej 60 për qind, me një mungesë të programeve zhvillimore, me një kufizim të lirisë së lëvizjes për shkak të vizave, me njëqind e sa probleme të tjera, nuk është një ambient i përshtatshëm ku mund të flitet për përparimin e shpejtë të drejtave të njeriut. Mirëpo, krahasuar me vendet e rajonit, as Kosova nuk qëndron asgjë më keq. Ne, si KMDLNJ, megjithatë vlerësojmë që vitin që iku ka pasur përparime në fushën e realizimit të të drejtave të njeriut”, shprehet Shala.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, vlerëson se në Kosovë, më shumë se shkeljen e drejtpërdrejtë të të drejtave individuale, ka shkelje të drejtave sociale dhe grupore të njerëzve.

Kjo për faktin, siç thotë ai, se të gjitha politikat, sidomos në fushën e ekonomisë, deri më sot kanë injoruar problemin kryesor që e ka Kosova, problemin e varfërisë.

Diskriminimet më të mëdha sipas tij të njerëzve kanë ndodhur në sektorin publik.

Duke qenë se sektori publik është ndoshta punëdhënësi më i madh në Kosovë, duke pasur parasysh faktin që ky sektor nuk e ka për bazë konkurrencën e lirë, por e ka për bazë diskriminimin në baza politike, e ndonjëherë ndoshta edhe në ndonjë bazë tjetër – ta zëmë, etnike, atëherë besoj që më të rrezikuarat në Kosovë janë pikërisht ato të drejtat që quhen civile. Do të thotë, e drejta për të pasur qasje të barabartë në edukim, në punësim, si dhe në prosperitet ekonomik”, thotë Zogiani.

Por, sa i përket diskriminimit të mundshëm mbi baza etnike, Shala nuk ka të njëjtin mendim.

Në anën tjetër, në raportin e organizatës “Human Rights Watch”, thuhet se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas mbetet i margjinalizuar dhe i cenuar nga diskriminimi.

Askush në Kosovë nuk është i rrezikuar për shkak të përkatësisë etnike, ngjyrës së lëkurës, bindjeve fetare e të tjera, por, thjeshtë, kushtet ekonomike e kushtëzojnë edhe këtë mozaikun e të drejtave të njeriut. Romët janë të diskriminuar në kuptimin që e kanë problemin me shkollim. Nuk u janë krijuar kushtet për shkollim. Kjo pastaj, rrjedhimisht, prodhon probleme edhe gjatë punësimit, gjatë marrjes, pranimit të shërbimeve publike. Ndërkaq, të tjerët, megjithatë, në një masë i kanë realizuar të drejtat e njeriut”, thekson Shala.

Por, Zogiani thekson se në Kosovë për një kohë të gjatë është shënuar mungesa e demokracisë, gjë që, sipas tij, vetvetiu imponon shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në kushtet kur demokracia nuk zhvillohet, shkelen të drejtat e njeriut. Kemi pasur raste të shumta të shkeljes së kompetencave të Kuvendit. Kemi pasur raste të shumta të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe presioneve ndaj organit më të lartë, që është Kuvendi. Normalisht, një sistem i tillë, që bazohet në ekzekutiv, nuk ka se si të mos ketë pasoja për të drejtat e njeriut, sepse në natyrën e vet, pushtetet ekzekutive janë arbitrare”.

Sidoqoftë, sipas organizatës Freedom House shtetet “pjesërisht të lira” shpesh vuajnë nga një mjedis i korrupsionit, prej sundimit të dobët të ligjit, grindjeve etnike dhe fetare, si dhe nga një ambient politik në të cilin një parti e vetme e gëzon dominimin, pavarësisht shkallës së caktuar të pluralizmit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG