Ndërlidhjet

logo-print

Turqia paralajmëron hakmarrje

  • RFE /RL

Senati francez duke miratuar ligjin që konsideron vepër penale çdo mohim të gjenocidit.

Senati francez duke miratuar ligjin që konsideron vepër penale çdo mohim të gjenocidit.

Senati francez ka miratuar ligjin që konsideron vepër penale çdo mohim të “gjenocidit që kanë vuajtur armenët në duart e turqve otomanë, afro 100 vjet më parë”.

Shkelësit mund të dënohen me një vjet heqje lirie apo edhe me gjobë prej 45,000 eurosh.

Ministri francez për marrëdhënie me parlamentin, Patrik Ollier, u ka folur senatorëve në favor të ligjit, i cili ka shkaktuar mosmarrëveshje diplomatike me Turqinë.

Mohimi është fyerje e rëndë e kujtesës kolektive që ne ndajmë. Ai i hedh poshtë vuajtjet e njerëzve dhe i bën viktimat të harrohen”, ka thënë Ollier.

Armenia thotë se rreth 1.5 milion armenë janë vrarë në Turqinë Otomane gjatë Luftës së Parë Botërore, “për shkak të politikës së qëllimshme të gjenocidit”.

Turqia e mohon termin gjenocid, duke thënë se ka humbje të mëdha jetësh nga të dyja palët në Turqinë lindore, në periudhën 1915-1916.

Kur Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar ligjin dhjetorin e kaluar, Turqia ka tërhequr ambasadorin e saj në Paris për konsultime dhe ka pezulluar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik me shtetin francez.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ka paralajmëruar se Ankaraja do të ndërmarrë masa të reja kundër Francës nëse Senati miraton ligjin.

Pas vendimit të fundit, zyra e tij ka dënuar ashpër Parisin. Ministria e Jashtme turke e ka quajtur kalimin e ligjit “shembull të papërgjegjshmërisë”. Përmes deklaratës për media, ajo ka thënë se nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa hakmarrëse.

Ish-ambasadori i Francës në Paris, Uluk Ozulker, ka thënë se veprimi i Francës është i motivuar politikisht, me qëllim “marrjen e votave në zgjedhjet presidenciale”.

Ky është një gjest politik, për t’iu sjellë vota të dy kandidatëve presidencialë. Ky ishte shansi i fundit për zotin Sarkozi, për t’u rizgjedhur”, ka thënë Ozulker, pasi armenët përbëjnë rreth gjysmë milioni votues në shtetin francez.

Reagimet kanë qenë negative edhe në rrugët e Stambollit. Qytetari Ozkan Jeginaltaj e ka quajtur “tradhti” vendimin e Francës.

Populli francez ka tradhtuar vlerat e tij. Republika turke është një vend i madh dhe nuk do të humbasë. Në të ardhmen, humbës do të jetë Sarkozi dhe ekipi i tij”, është shprehur ai.

Por, reagimi ka qenë krejt ndryshe në Armeni. Ministri i Jashtëm armen, Eduard Nalbandian, e ka quajtur votimin e djeshëm në Senatin francez një ngjarje historike për të drejtat e njeriut në mbarë botën.

Kjo ditë do të jetë e shkruar me ar, jo vetëm në historinë e partneritetit në mes të popullit armen dhe atij francez, por edhe në historinë e të drejtave të njeriut në botë”, ka thënë Nalbandian.

Franca ka njohur si gjenocid vrasjet e armenëve qysh në vitin 2001.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG