Ndërlidhjet

Akuza të ndërsjella të republikanëve


Mit Romni dhe Njut Gingriç
Mit Romni dhe Njut Gingriç

Në Shtetet e Bashkuara po vazhdon gara e kandidatëve republikanë për presidencë.

Mbrëmë vonë u zhvillua një debat televiziv në Tampa të Floridës, me ç’rast u shkëmbyen akuza të ndërsjella të dy kandidatëve, që aktualisht duket se janë favoritë të kësaj gare, Mit Romni dhe Njut Gingriç.

Kandidati presidencial republikan, Mit Romni, i ka publikuar të dhënat, që tregojnë se ai do të paguajë 6.2 milionë dollarë taksa, për të ardhurat e përgjithshme, që janë më tepër se 42 milionë dollarë, gjatë dy viteve të kaluara.

Fushata e tij ka njoftuar se shkalla e tatimit për vitin 2010 është 13.9%, ndërsa për vitin 2011 – 15.4%.

Pjesa më e madhe e të ardhurave janë nga investimet.

Të dhënat tregojnë se Romni, po ashtu, i ka dhënë afro 3 milionë dollarë për çështje humanitare në Kishën Mormone, pjesëtar i së cilës është.

Mit Romni, ish guvernator i shtetit verilindor, Masaçusets, dhe ndërmarrës me kapital, ishte sulmuar nga rivalët e tij se është biznesmen i pasur, i cili i ka grabitur kompanitë dhe i ka zvogëluar vendet e punës.

Ai ishte nën presion në rritje për t’i publikuar taksat derisa gara për nominimin e kandidatit republikan presidencial, që në nëntor do të ballafaqohet me presidentin Barak Obama, po i afrohet rundeve të ardhshme në shtetet kryesore, përfshirë edhe atë në Floridë, ku votohet më 31 të këtij muaji.

Njut Gingriç, rivali kryesor i Mit Romnit, po ashtu, i ka publikuar të dhënat e taksave të tij, duke thënë se ai ka paguar 1 milion, vitin e kaluar, që është një shkallë prej afro 31%.

Zoti Romni e ka mbrojtur pozicionin e tij në debatin e fundit televiziv në qytetin Tampa të Folridës, duke e krahasuar rrugën e tij dhe të zotit Gingriç prej viteve të 70-ta.

Në vitet e 70-ta ai erdhi në Uashington. Unë e fillova punën time të parë në të 70-at, në nivelin më të ulët të firmës konsultuese. Në vitet e 90-ta, ai pat dhënë dorëheqje i turpëruar nga puna e tij si kryesues i Dhomës Përfaqësuese. Unë kisha rastin të kaloj në udhëheqje të Lojërave Olimpike Dimërore në Solt Lejk Siti. 15 vjet pasi ai u largua nga pozita e kryesuesit të dhomës, ai kishte punuar si lobist me ndikim për çdo gjë në Uashington”, tha Mit Romni.

Njut Gingriç u përpoq ta evitojë sulmin, duke thënë se ajo që ai e cilëson si “politikë triviale”, po e devijon debatin republikan nga çështjet reale, siç është ekonomia.

Në këtë kuadër, ai theksoi:

Unë nuk do ta kaloj mbrëmjen duke u përpjekur për të shkuar pas dezinformatave të guvernatorit Romni. Në mëngjes do ta kem faqen në Internet Njut.com, ku do t’i paraqes të gjitha. Ai posa i tha së paku katër gjëra, që janë të rrejshme. Nuk dëshiroj të humbas kohë me këto”, tha Gingriç.

Të shtunën e kaluar, në garën në Karolinën Jugore, Njut Gingriç fitoi para Mit Romnit. Dy kandidatët e tjerë të Partisë Republikane janë Rik Santorum dhe Ron Paul. (f. b.)
XS
SM
MD
LG