Ndërlidhjet

Të premten nis dëgjimi i deputetëve që "organizuan" 21 janarin


Këshilli i Rregullores, mandateve dhe imunitetit të Kuvendit të Shqipërisë u mblodh sot, bazuar në një kërkesë së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kërkon autorizim për procedim penal të deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare.

Tre deputetët akuzohen si organizatorë të veprimeve të dhunshme të 21 janarit, 2011.

Në mbledhjen e këshillit, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës debatuan mbi kohën që u duhet vënë në dispozicion për t’u njohur me dosjen, që bashkëshoqëron kërkesën e organit të akuzës për heqje të imunitetit të tre deputeteve.

Socialistët kërkuan të paktën tre ditë afat, por përfaqësues të mazhorancës ngritën dyshimin se opozita po kërkon të zvarrisë procedurën parlamentare.

Në përfundim u vendos që, ditën e premte, Këshilli i rregullores të fillojë me dëgjimin e tre deputetëve nën akuzë.

Krahas imunitetit të tre deputetëve, Prokuroria e Përgjithshme lëshoi një ditë më parë dhe tre urdhër-arrestime lidhur me ngjarjen e 21 janarit.

Nën akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, prokuroria ka nxjerrë urdhër-arrest për komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Por, gjykata e Tiranës e ndryshoi atë në urdhër-arrest shtëpiak, pasi, sipas saj, nuk provohet që pistoleta me të cilën është qëlluar viktima ishte e Prendit.

Po kështu nga prokuroria janë lëshuar urdhër-arreste për Margarit Kumen, shofer i komandantit të gardës, dhe Armando Kasajn, specialist përgjegjës i teknologjisë së internetit në kryeministri - të akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Tre të vdekur dhe disa të plagosur ishte bilanci i protestës opozitare tw 21 janarit. (m.z.)
XS
SM
MD
LG