Ndërlidhjet

SHBA: I dënuari për terror ka synuar vrasjen e dëshmitarëve


I dënuar me burg, si pjesë e një unaze terroriste e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Hysen Sherifi, me prejardhje nga Kosova, në një dokument të një gjykate federale, është akuzuar për komplot për vrasje dhe heqje koke të dëshmitarëve, që kishin dëshmuar kundër tij në gjyq.

Një deklaratë e dhënë nën betim në gjykatën federale, këtë javë, e akuzon Hysen Sherifin, për komplot kundër dëshmitarëve nga qelia e tij në burg.

Autoritetet thanë se një informator i FBI-së i paraqitur si një vrasës me pagesë, ishte takuar me vëllaun e Sherifit dhe me një shoqe të tij dhe kishte pranuar 5 mijë dollarë dhe një fotografi të viktimës eventuale.

Agjentët e FBI-së e arrestuan vëllaun, Shkumbin Sherifi, dhe mësuesen e një shkolle, Nevine Aly Elshiekh.

Tash në arrest federal, secili prej tyre është i akuzuar për krim për vrasje me porosi.

Vëllëzërit Sherifi dhe pjesëtarët e tjerë të familjes kishin emigruar nga Kosova në vitet e 90-ta, pas luftërave në ish Jugosllavi.

Thirrjeve telefonike në shtëpinë e familjes Sherifi nuk i është përgjigjur askush, raporton agjencia AP.

Hysen Sherifi, 27vjeçar, më herët këtë muaj ishte dnuar me 45 vjet burg, për atë që prokurorët e kanë përshkruajtur si konspiracion për të sulmuar bazën ushtarake Quantico në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara dhe caqe të jashtme.

Pritet që Shkumbin Sherifi dhe Aly Elshiekh do të paraqiten për të parën herë në gjyq këtë të premte, në gjykatën federale në Vilmington.

Zyra e prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Raleigh nuk ka publikuar informata për të arrestuarit.
XS
SM
MD
LG