Ndërlidhjet

logo-print
Autoritetet kosovare shpresojnë që në ditët dhe javët e ardhshme, të gjejnë një zgjidhje për të relaksuar situatën në veri të Kosovës, e cila ka mbetur “e barrikaduar” edhe gjashtë muaj pas aksionit policor për marrjen e kontrollit të pikave kufitare atje.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Dukagjin Gorani, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e vendit vazhdon të jetë e gatshme për të zbatuar në terren parimet themelore të Planit Ahtisari, gjë që, sipas tij, duhet të shkojë paralelisht me arritjet në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Pritet që në periudhën që vjen, pra në ditët dhe javët e ardhshme, gradualisht situata në veri përsëri të kthehet si një çështje me rëndësi të madhe-së paku edhe në komunikimin publik politik, në mënyrë që të fillojë implementimi adekuat i strategjisë integruese”, thotë Gorani.

Më 25 korrik të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës i pati dhënë urdhër njësisë speciale të Policisë së Kosovës që të rimarrë kontrollin në pikën kufitare 1 dhe 31 në veri të Mitrovicës. Pas kundërshtimit të ashpër të serbëve lokalë dhe reagimeve të shumta ndërkombëtare, forcat speciale u tërhoqën, ndërsa serbët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Pasuan përplasjet ndërmjet serbëve barrikadues dhe forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, që synonin të largonin barrikadat.

Në Beograd thonë se problemet në veri të Kosovës nuk mund të zgjidhen me përdorimin e forcës dhe në mungesë të komunikimit të ndërsjellë.

Barrikadë në Jagnjenicë...

Barrikadë në Jagnjenicë...


Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se palët e përfshira duhet të përqendrohen në dialogun ndërmjet vete.

Gjithçka që del nga Plani Ahtisari mbetet megjithatë e papranueshme.

“Ahtisari është një shembull tipik flagrant për t’i zgjidhur gjërat shpejt e shpejt, por në përgjithësi problemet mbesin edhe shumë gjatë”, vlerëson Ivanoviq.

Mirëpo, sipas zyrtarëve kosovarë, shumë shpejt pritet të jetësohet strategjia e fundit e ekzekutivit të vendit për integrimin e veriut të Kosovës.

Përveç kundërshtimit të Planit Ahtisari dhe të gjitha planeve të deritashme të Prishtinës zyrtare me qëllim integrimin e veriut, serbët e kësaj pjese të vendit planifikojnë që në muajin e ardhshëm të mbajnë një referendum për të shprehur qëndrimin e tyre karshi institucioneve shtetërore të Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për zhbërjen e strukturave paralele në veri dhe atyre drejtuar serbëve lokalë që flasin për nevojën e integrimit në jetën institucionale të Kosovës, Ivanoviq shprehet pesimist se do të ndryshojë diçka.
Në mesin e serbëve gjithmonë ekziston ndjenja e paqartësisë, me të cilën jemi mësuar të jetojmë.

“Në mesin e serbëve gjithmonë ekziston ndjenja e paqartësisë, me të cilën jemi mësuar të jetojmë. Është një tragjedi e madhe që njerëzit janë mësuar të jetojnë në paqartësi. Kjo nuk është e mirë për askënd, por jam i sigurt që serbët nuk do ta ndërrojnë mënyrën e mendimit dhe të jetës për shkak të disa presioneve ose interesave afatshkurtra”, thekson Ivanoviq.

Me gjithë zhvillimet dhe tensionet në veri, hapja e dialogut për veriun ka ndarë palët në pozicione të kundërta. Derisa Serbia ka kërkuar që veriu të futet si temë e veçantë e diskutimit gjatë dialogut, Prishtina ka insistuar që të mos bisedojë me palën serbe për, siç thuhet, çështjet e saj të brendshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG