Ndërlidhjet

Fundi i mbikëqyrjes dhe veriu


Ilustrim...
Ilustrim...
Përfaqësuesit politikë në Prishtinë përshëndesin konkluzionet e takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për fillimin e fazës përfundimtare të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, tërhiqet edhe vërejtja se paralajmërimi që Zyra Civile Ndërkombëtare si mbikëqyrëse e zbatimit të Pakos së Ahtisarit, mund të shkojë nga Kosova në fund të vitit, pa u kryer edhe obligimet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, nuk është lajm i mirë.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, mendon se lajmi i mirë është se ka filluar përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur. Por, ai i sheh si sfida të gjitha çështjet që përmenden për veriun e Kosovës.

Skënder Hyseni
Skënder Hyseni
“Vendimet e djeshme, Kosovën e nxjerrin nga faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, por e fusin, do të thosha unë, në fazën e vëzhgimit, kryesisht të partnerëve të saj. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës tash duhet të dëshmojë se është e vendosur ta zbatojë Planin e Ahtisarit pikë për pikë në veri dhe nuk guxon të shkojë përtej kornizave që ka përcaktuar ky plan në veri”, thekson Hyseni.

Ndërkohë, ish-koordinatori i Ekipit të Unitetit në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Blerim Shala, thotë se vendimet e Grupit Ndërkombëtar Drejtues, në përgjithësi, janë pozitive. Por, edhe Shala e sheh si shqetësues faktin se në veri nuk është zbatuar Pakoja e Ahtisarit, ndërkaq Zyra Civile Ndërkombëtare paralajmëron largimin nga Kosova, madje edhe nëse në veri nuk zbatohet ky dokument.

“Nuk do të ketë zbatim të Planit të Ahtisarit nëse qysh tash paralajmërohet që Zyra Civile Ndërkombëtare do ta përmbyllë mandatin e vet pa e kryer në fakt punën si duhet. Andaj, mendoj që nuk duhet ngritur flamurin e bardhë, por përkundrazi duhet bërë gjithë mobilizimin e duhur që të provohet organizimi i zgjedhjeve edhe në Mitrovicën veriore deri në fund të vitit, apo përmbyllja e Pakos së Ahtisarit në të gjitha segmentet e veta”, thotë Shala.

Në anën tjetër, Skënder Hyseni thotë se opsionet shtesë si zgjidhje jashtë Pakos së Ahtisarit për veriun e Kosovës do të mund të merreshin parasysh vetëm nëse Qeveria nuk e zbaton në përpikëri dokumentin e Ahtisarit.

Hyseni thotë se Grupi Ndërkombëtar Drejtues e ka thënë qartë se nga veriu, Serbia duhet t’i largojë strukturat e saj të sigurisë dhe strukturat e tjera, dhe kjo, sipas tij, është mundësi për Qeverinë që të veprojë konkretisht në veri.

Kjo varet kryekëput nga veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Nëse Qeveria vazhdon me veprime gjysmake, jo të vendosura, atëherë të gjitha (opsionet) janë të mundshme. Qeveria duhet të demonstrojë seriozitet të fuqishëm në veri duke e zbatuar Ahtisarin pikë për pikë dhe duke gjetur format si ta zbatojë, dhe unë ju siguroj se forma ka”, vlerëson Hyseni.

Alternativat e mundshme shtesë si zgjidhje për veriun, nuk përjashtohen as nga Blerim Shala. Por, ai tërheq edhe vërejtjen se këto alternativa do të ishin shumë të dëmshme për Kosovën dhe funksionimin e saj si shtet.

Blerim Shala
Blerim Shala
“Alternativat qysh tash janë kah qarkullojnë, nisur nga katër-pikëshi i presidentit Tadiq, i cili po interpretohet ndryshe e ndryshe, për të cilin mendoj se është absolutisht i papranueshëm, deri te disa sugjerime të buta për një lloj Ahtisari plus apo për një ‘Republika Srpska’ minus. Mendoj se të gjitha këto alternativa janë të dëmshme dhe trajtimi i duhur i veriut të Kosovës nënkupton një partneritet të plotë midis nesh dhe faktorit ndërkombëtar në të gjitha aspektet, si në atë ushtarak, të sundimit të ligjit ashtu edhe atë politik e ekonomik”, shpjegon Shala.

Sidoqoftë, konkluzionet e Grupit Ndërkombëtar Drejtues i ka përshëndetur tashmë kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi. Pas takimit të 24 janarit të mbajtur në Vjenë, Thaçi ka deklaruar se Qeveria e tij është e gatshme t’i marrë përsipër dhe t’i zbatojë të gjitha çështjet e mbetura nga Plani i Ahtisarit, në mënyrë që në fund të vitit, Kosova nga pavarësia e mbikëqyrur, të kalojë në fazën e pavarësisë së plotë.

“Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur, përfundimisht nënkupton që Kosova si shtet sovran dhe i pavarur do të funksionojë si të gjitha shtetet e tjera të rajonit me perspektivë të qartë evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Në konkluzionet e 25 vendeve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, mes tjerash thuhet se mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës mund të përfundojë nga fundi i këtij viti, por paraprakisht, mes tjerash, kërkohen disa përparime në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG