Ndërlidhjet

Diplomatët i gëzohen shkuarjes së Zhbogarit në Kosovë


Këshilli Evropian ka konfirmuar sot emërimin e ish-ministrit të Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, në postin e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë.

Ai do ta kryejë këtë funksion së bashku me atë të shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, që është nën autoritetin e përfaqësueses për politikë të jashtme të bllokut evropian, Kethrin Eshton.

"I gëzohem bashkëpunimit të afërt me Samuel Zhbogarin, i cili është një zgjedhje e shkëlqyer për shkak të njohurive të tij të mëdha për rajonin dhe përvojës së gjerë diplomatike", ka thënë Eshton.

Zhbogar është slloveni i parë që emërohet në një post kyç të politikës së jashtme të BE-së, që kur Sllovenia është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004. Funksioni i tij i ri do të nisë më 1 shkurt.

Ardhjen e Zhbogarit në postin e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë e ka përshëndetur edhe deputeti slloven në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, njëherësh raportues i këtij mekanizmi për Serbinë.

Kjo mund të kontribuojë edhe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë Kacin.
XS
SM
MD
LG