Ndërlidhjet

"Washington Post"

Tema e politikës së jashtme që duhet të dominojë fushatën e sivjetme presidenciale në Shtetet e Bashkuara është “ripërtëritja e Amerikës”. Secili kandidat pretendon se ka strategji për të ndaluar rënien e vendit, por versionet e tyre shpesh mbeten të njëjta dhe nuk mund të funksionojnë.

Për një diskutim të shëndoshë se çfarë do të kërkonte ripërtëritja e Shteteve të Bashkuara gjatë disa dekadave të ardhshme, rekomandohet libri “Vizioni strategjik”, i autorit Zbigniev Brezhinski, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit Xhimi Karter.

Edhe pse ai ka punuar për një president, i cili erdhi për të simbolizuar “gjendjen e sëmurë” të SHBA-së në fund të viteve 1970, Brezhinski ka qenë gjithmonë agresiv dhe ana realiste e partisë së tij. Dhe, në këtë libër, ai është kritik sidomos ndaj politikave të status quo-së.

Një alarm zgjimi në librin e Brezhinskit është se ka “ngjashmëri alarmuese” ndërmjet Amerikës sot dhe Bashkimit Sovjetik pak para rënies së tij, përfshirë “sistemin e bllokuar qeveritar, të paaftë për të shqyrtuar dispozitat serioze politike”, pastaj një buxhet të thyer ushtarak dhe një dështim “të përpjekjeve disavjeçare për të pushtuar Afganistanin”.

Thelbi i strategjisë së Brezhinskit është se Amerika duhet të bëhet mjaft e fortë, për të vepruar “si partner i përgjegjshëm”. Ai e sheh rolin e ardhshëm të SHBA-së si “balancues” dhe “pajtues” në mesin e shteteve aziatike, të cilat do të zhyten në luftime të parregullta.

Për ta arritur këtë ringjallje, Brezhinski thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë ngushtë me Rusinë dhe Turqinë, për të ndërtuar atë që ai e quan një “Perëndim të madh”. Nëse Amerika niset ta bëjë vetë një gjë të tillë, është e prirë të futet në telashe.

Këtu, është edhe zemra e debatit politik në këtë fushatë presidenciale. Pra, çfarë do të thotë “forca” e Amerikës në shekullin 21?

A është ajo një rimëkëmbje e pushtetit dhe privilegjit që ka pasur, të themi në vitet e Ronald Reganit? Apo është diçka që ka të bëjë më shumë me ndryshimet në bilancin global? Brezhinski do ta favorizonte këtë të fundit, por të shohim se çfarë thonë kandidatët.

Në çdo debat, ju mund të dëgjoni thirrjet këmbëngulëse për restaurimin e fuqisë së Amerikës nga “garuesit për frontin”: Mit Romni dhe Njut Gingriç.

Recetat specifike të tyre përfshijnë forcimin e muskujve: më shumë presion ushtarak ndaj Iranit, më shumë veprime të fshehta të CIA-s kundër Iranit, Sirisë dhe rivalëve të tjerë, si dhe politika më të ashpra të tregtisë ndaj Kinës.

Nga kjo, sipas tyre, nënkuptohet se përpjekjet e presidentit Obama për t’i riparuar gardhet me aleatët janë shenja të dobësisë dhe se Amerika duhet të udhëhiqet nga fronti.

Por, për të ushtruar pushtetin në mënyrë efektive, Amerika ka nevojë për aleatë të mirë. Nëse Brezhinski ka të drejtë dhe “Perëndimi i madh” kërkon bashkëpunim me Rusinë dhe Turqinë, atëherë retorika e kandidatëve republikanë është kundër-produkive.

Obama, në fakt, ka filluar punën për kultivimin e këtyre partnerëve të rinj, me “rivendosjen e marrëdhënieve” me Rusinë në vitin 2009 dhe me diplomacinë e tij të durueshme me Turqinë.

Kandidatët republikanë duken nganjëherë mospërfillës ndaj politikës reale.

Romni, për shembull, hodhi poshtë idenë e negociatave paqësore me talibanët – çfarë u kundërshtua edhe nga disa këshilltarë të tij. Në Lindjen e Mesme, Gingriç përbuz zgjidhjen për dy shtete, duke i quajtur palestinezët “njerëz të shpikur”, të cilët nuk e meritojnë shtetin.

Sa i përket vizionit strategjik të Obamës, ai më shumë flet për një lojë të mirë, sesa që e luan atë. Të fajësosh të tjerët nuk është strategji, është justifikim. Obama është zgjedhur për ta bërë qeverinë të funksionojë përsëri. Nëse ai nuk mund ta bëjë këtë, dikush tjetër duhet të përpiqet.(v.t.)

*Titulli është përshtatur nga redaksia
XS
SM
MD
LG