Ndërlidhjet

Moti vështirëson qarkullimin


Prishtinë
Prishtinë
Reshjet e borës, të cilat kanë nisur nga dita e martë dhe që kanë vazhduar të bien edhe gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë e kanë vështirësuar qarkullimin e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës njoftojnë se qarkullimi është tejet i vështirësuar, sidomos në rrugët që çojnë në zonat malore të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se sipas njoftimeve të drejtorive rajonale të policisë në vend, rrugët magjistrale, të cilat çojnë në drejtim të të gjitha rajoneve, janë kryesisht të kalueshme, por të vështirësuara. Sipas tij, e njëjtë paraqitet gjendja edhe për rrugët nëpër qytete.

Megjithëkëtë, thotë Kelani, qarkullimi në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë mbetet ende i pamundur për shkak të bllokimit të rrugës nga bora në pjesën e Malit të Zi.

Ndërkaq, pjesa e bllokuar e rrugës për në Merdare, është liruar gjatë ditës.

Vështirësi tjera kemi në pjesën te Brezovica, te rajoni i Dragashit dhe në disa fshatra që janë shumë të vështira për qarkullim dhe mund të kalohet vetëm me pajisje të automjeteve - flas për pajisje dimërore”, bën të ditur Kelani.

Zëdhënësi i policisë, Kelani, thekson se gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e qarkullimit të rënduar të automjeteve nëpër rrugët e Kosovës, ka pasur edhe aksidente, por që nuk kanë përfunduar me fatalitet.

Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë territorin e Kosovës, kanë ndodhur kryesisht 88 aksidente, vetëm me dëme materiale. Ndërsa, aksidente me persona të lënduar, në Policinë e Kosovës janë evidentuar 10 sosh. Fatmirësisht, nuk kemi pasur të evidentuar asnjë aksident me fatalitet”, njofton Kelani.

Në anën tjetër, trafiku ajror, ndonëse i vështirësuar, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" , është zhvilluar, njoftojnë zyrtarët e këtij aeroporti.

Valentina Gara, zyrtare për informim e këtij aeroporti, thotë se aeroporti është funksional dhe nuk është mbyllur. Deri më tash, sipas saj, janë realizuar dy fluturime nga aeroporti, por ende nuk ka ateruar asnjë aeroplan në të.

Sot janë realizuar dy fluturime në orët e hershme të mëngjesit, nga kompania ajrore ‘Adria Airways’ për Minhen dhe nga kompania ajrore ‘Kroatia Airlines’, e cila e ka realizuar fluturimin e saj për Kroaci. Ndërkaq, tri fluturime kanë ateruar në aeroportet tjera. Dy komanitë ajrore: ‘Austrian Airlines’ dhe ‘Turkish Airilnes’ kanë konfirmuar anulimin e fluturimeve të tyre. Ndërkaq, dua të theksoj se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ mbetet i hapur, por edhe është funksional për të operuar të gjitha fluturimet, të cilat do të aterojnë në këtë aeroport”, thotë Gara.

Gjatë ditës së enjte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës janë planifikuar 11 fluturime komerciale.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Hidro-meteorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, thotë se reshjet e borës, të cilat kanë rënë në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit, kanë qenë mbi 70 centimetra, gjë që e ka vështirësuar qarkullimin në rrugët e vendit.

Sipas tij, temperaturat janë luhatur nga minimalet - minus 6 gradë celsius deri minus 2 gradë celsius. Ndërkaq, siç thotë ai, temperaturat më të larta ditore do të luhaten nga minus 3 gradë deri në minus 1 gradë celsius.

Fusha e shtypjes atmosferike është në ulje e sipër, që është një parametër se atmosfera nuk është stabile. Megjithatë, sot në orët e vona të ditës, reshjet do të ndërpriten, por kjo e ka fenomenin tjetër. Do të ketë ulje të theksuar të temperaturave minimale dhe atyre maksimale. Temperaturat minimale, gjatë 48 orëve, do të ulen deri në minus 17 gradë celsius në ultësira, ndërsa në vendet kodrinore, malore, mund të shkojë deri minus 20 gradë celsius. Ka erë nga drejtimi i veriut dhe veri-lindjes me shpejtësi 1 deri në 12 metra në sekondë”, sqaron Tahirsylaj.

Ndryshe, si pasojë e përkeqësimit të motit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, ka anuluar mbajtjen e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës deri ditën e hënë, më 30 janar.



Video: Gresa Kraja

Prishtina me borë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00
XS
SM
MD
LG