Ndërlidhjet

Politizimi i sistemit shëndetësor


Ilustrim
Ilustrim

Të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Konkursi për drejtorë të klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është anuluar me datën 18 janar, një ditë pasi që ishin shpallur emrat e drejtorëve të këtyre klinikave.

Anulimi është bërë nën arsyetimin se janë bërë shkelje ligjore.

Por, Ligji për shërbyesit civilë parasheh që koha e ushtruesit të detyrës në institucione përkatëse të jetë në një afat prej tre muajsh dhe kjo dispozitë ligjore nuk është respektuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E gjithë kjo rezulton me politizim të sistemit shëndetësor.

Këtë, në fakt, e pohon edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili shprehet se i ka vënë prioritet vetes që këtë vit të depolitizojë sistemin shëndetësor, aq sa është e mundshme.

Ferid Agani
Ferid Agani
Në vazhdimësi kam insistuar që sistemi shëndetësor të depolitizohet në masën maksimale. Legjislacioni aktual dhe organizimi i tanishëm i sistemit shëndetësor, e pamundëson depolitizimin e dëshiruar të sistemit shëndetësor, dhe kjo po shihet edhe me zgjedhjen që po bëhet me postet e larta menaxheriale në Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe në vetë institucionet shëndetësore.

Unë jam i bindur se ndryshimet reformuese që do të ndodhin, do të paraqesin edhe fundin e kësaj situate, por deri atëherë do të ballafaqohemi me situata të ngjashme”, shprehet Agani.

Por, drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, thotë se nuk ka asgjë politike në këtë rrafsh, pavarësisht anulimit të konkursit.

Është bërë një keqinterpretim i një neni në statut”, thotë Gashi.

Ai, megjithatë, e ka edhe një shpjegim tjetër lidhur me këtë çështje:

“Nga Partia Demokratike e Kosovës janë më të hidhëruarit. Nuk janë të kënaqur me zgjedhjet që janë bërë. Kemi marrë reagime jo të këndshme”.

Por, sindikalistët mendojnë se gjithçka në shëndetësinë kosovare është e politizuar.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në QKUK, Xhemë Selmani, thotë se kanë qenë kategorikë që konkursi i fundit të anulohet, meqë ka pasur ndërhyrje politike.

Ne kemi kërkuar vetë, si sindikatë, anulimin e udhëheqësve të klinikave, meqë janë bërë shumë shkelje procedurale dhe po del kushtimisht se janë bërë përzgjedhje politike”, thekson Selmani.

Mirëpo, ministri Agani thotë se është i përkushtuar ta depolitizojë sistemin shëndetësor, duke mos mohuar se do të hasë në shumë vështirësi.

Unë jam i përkushtuar që edhe në këtë situatë të tentoj të mundësoj një rrjedhë sa më normale të zhvillimeve, duke insistuar në respektimin e plotë të ligjshmërisë, gjatë procesit të zbatimit të konkurseve, dhe në qoftë se është e nevojshme që të përsëriten edhe disa herë konkurset , unë do ta bëj atë, vetëm në mënyrë që këta drejtorë të zgjidhen në bazë të ligjeve në fuqi”, zotohet Agani.
XS
SM
MD
LG