Ndërlidhjet

Maqedoni: Nisma të reja


Shkup...
Shkup...
Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë të Maqedonisë në Bruksel, si dhe ajo e zëvendëskryeministres për çështje evropiane në Athinë, nuk do të sjellin asgjë të re në raport me zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Por, pavarësisht kësaj, Maqedonia duhet të vazhdojë fushatën e saj të prezantimit të argumenteve që e favorizojnë anëtarësimin e saj në NATO, thotë ish diplomati Risto Nikovski, duke komentuar takimet e kryeministrit Nikolla Gruevski, me ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës dhe kreun e saj, Rasmunsen.

Fakti se nuk ka asnjë reagim nga ana e Brukselit lidhur me takimet e djeshme të kryeministrit Gruevski, vetëm sa dëshmon edhe njëherë se nuk ka ndryshim të qëndrimeve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike".

"Ata gjithsesi se kanë dëgjuar argumentet e prezantuara nga kryeministri Gruevski, dhe ne duhet të shpresojmë se atë që e kanë dëgjuar nuk mund të mohohet, pasi janë argumente që tregojnë anën tjetër të medaljes. Mendoj se tani duhet të presim se çfarë do të ndodhë por njëkohësisht duhet të vazhdojmë edhe fushatën për të forcuar pozicionin tonë dhe për të arritur maksimumin”, thotë Risto Nikovski, ish diplomat.

Ndryshe sipas komunikatës së publikuar nga Qeveria në Shkup, kryeministri Gruevski në mbledhjen e këshillit euroatlantik ka kërkuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO edhe atë në Samitin e Çikagos në Nju Jork, ndërsa ka përsëritur qëndrimin për vazhdimin e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen e emrit.

Gruevski, siç thuhet në komunikatë, ka kritikuar qëndrimin e Qeverisë greke lidhur me kontestin, duke shprehur pakënaqësi me mungesën e vullnetit të saj për mbylljen e problemit.

Ndërkohë po për çështjen e emrit Gruevski ka kërkuar një takim me homologun e tij grek, ndërsa ftesën ia kishte dërguar përmes zëvendëskryeministres Tetuta Arifi, e cila të mërkurën takoi në Athinë homologun e saj grek, Teodoros Pangallos.

Çështja e emrit është një prej çështjeve që raportet mes dy vendeve gjithsesi se i bënë komplekse, por me vetë faktin që kemi inicuar një takim të tillë mendoj që i jep një frymë konstruktive mbase edhe atmosferës sa i përket çështjes së emrit dhe duke pasur parasysh faktin që të gjithë partnerët ndërkombëtarë duke përfshirë SHBA-të, NATO-n dhe BE-në e kanë mirëpritur takimin, konsideroj se mund të jetë një plus pozitiv sa i përket këtij problemi”, u shpreh zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi.

Duke komentuar takimet eventuale të nivelit të lartë shtetëror, analisti Xhelal Neziri thotë se nuk duhet shpresuar se në takime të tilla do të mund të arrihej zhbllokimi i procesit integrues, pasi Greqia tashmë e ka bërë të qartë pozicionin e saj se pa ndryshimin e emrit kushtetues kjo nuk do të ishte e mundur.
Takimet e ardhshme edhe nëse do të ndodhin, në to temë bisedimi nuk do të jetë më çështja e emrit...

Takimet e ardhshme edhe nëse do të ndodhin, në to temë bisedimi nuk do të jetë më çështja e emrit, por çështjet tjera praktike ndërmjet dy shteteve fqinje”, tha Neziri.

Ai gjithashtu e konsideron të pafavorshëm për shqiptarët edhe faktin e dorëzimit të letrës nga ana e zëvendëskryeministres Arifi për kryeministrin grek, Papadhimos.

Në këtë rast shqiptarët paraqiten në rolin e bartësit të letrave dhe nuk mendoj se ishte një pasqyrim i mirë i rolit të shqiptarëve të cilët janë aq shumë të interesuar që çështja e emrit të zgjidhet dhe Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe BE”, u shpreh Neziri.
XS
SM
MD
LG