Ndërlidhjet

Pasojat e zgjedhjeve serbe


Graçanicë (Foto arkiv).
Graçanicë (Foto arkiv).
Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e vendit.

Për të marrë një vendim për zhvillimin e këtij procesi në territorin e Kosovës, sipas zyrtarëve serbë, do të nevojitet një vendim politik.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Krenar Gashi, thotë se autoritetet kosovare duhet të shfrytëzojnë dialogun aktual me palën serbe për të bërë presion rreth mosmbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë - me theks të veçantë te pjesa veriore e vendit.
Krenar Gashi
Krenar Gashi

“Këtu, pikësëpari mendoj duke përdorur instrumentin e tanishëm më të fuqishëm që e ka Kosova ndaj Serbisë, e që është dialogu Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Brukselit dhe që një gjë e tillë të ndalohet, t’i vihet vijë e kuqe në suaza të këtij dialogu”, shprehet Gashi.

Thirrjeve të Bashkësisë Ndërkombëtare drejtuar Serbisë për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë iu bashkua, ditë më parë, edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Prishtinë bën të ditur se për këtë çështje janë duke u zhvilluar tashmë diskutime ndërmjet Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të shtetit serb.

Rashiti thotë se në Bashkimin Evropian duan të marrin garanci para muajit mars, kur dhe pritet që Serbia të njoftohet me vendimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në këtë mekanizëm, që zgjedhjet lokale serbe të mos përfshijnë territorin e Kosovës.

Pasojat politike të organizimit të këtyre zgjedhjeve në vend, sipas tij, do të ishin të ndryshme.
Zgjedhjet e tilla do të jenë një provokim i rëndë për institucionet e Kosovës...

“Zgjedhjet e tilla do të jenë një provokim i rëndë për institucionet e Kosovës, për dialogun dhe për vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe me siguri se do të kenë reagime të ndryshme”, vlerëson Rashiti.

Megjithatë, ai nuk hedh poshtë mundësinë që, në rast të mosmbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në veri të Kosovës, serbët lokalë të asaj pjese të vetë-organizojnë zgjedhje të tilla.

“Natyrisht se ato zgjedhje nuk do të kenë ndonjë legjitimitet dhe ndonjë bazë legale mjaft të fuqishme. E rëndësishmja është që Serbia të mos organizojë dhe të certifikojë zgjedhjet lokale, të cilat zhvillohen në Kosovë”, thekson Rashiti.

Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Prishtinë kanë thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të mund të mbaheshin edhe në Kosovë bazuar në parimin e dyshtetësisë, por se një gjë e tillë nuk do të vlente edhe për zgjedhjet lokale.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar tashmë zbatimin e një strategjie të re me qëllim integrimin e pjesës veriore në jetën institucionale të vendit.
Gashi thotë se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri, do të humbte çdo mundësi për ta futur atë pjesë nën autoritetin shtetëror të Kosovës.

“Në rast se Serbia arrin të mbajë zgjedhje në veri të vendit, atëherë do të jetë shumë vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të formësohen kuvendet dhe njësitë komunale në këtë pjesë të Kosovës dhe të hyjnë nën ombrellën e kushtetutshmërisë së Kosovës”, shton Gashi.
XS
SM
MD
LG