Ndërlidhjet

Lufta e (pa)efektshme


Mënyra e hartimit të strategjive të deritashme për ta luftuar korrupsionin, ka qenë e gabuar dhe ka ndikuar negativisht në këtë luftë, vlerësojnë përfaqësuesit e Lëvizjes për qeverisje të mirë dhe qytetari aktive “Fol”.

Në një tryezë, të cilën e ka organizuar kjo Lëvizje, me temën “Strategjia kundër korrupsion 2012-2016”, përfaqësuesit e saj kanë theksuar se në hartimin e strategjisë së re po përsëriten gabimet e ngjashme, ashtu si më parë.

Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen Fol, ka thënë se strategjia e re, ashtu sikurse ajo paraprake, nuk është fare në funksion të luftimit të korrupsionit. Ai ka kritikuar mënyrën e hartimit të strategjisë së re, duke vlerësuar se ajo ka një varg mungesash.

“Edhe në strategjinë ekzistuese, për fat të keq, nuk është bërë asnjë hulumtim paraprak empirik, i cili, pak a shumë, do të gjurmonte shkaqet, natyrën dhe karakteristikat e korrupsionit në Kosovë dhe që për fat të keq, ka qenë karakteristikë, apo thënë më mirë, ka qenë dobësi e të gjitha strategjive”, ka thënë Mazreku.

Kritikave të përfaqësuesve të Lëvizjes Fol, u është përgjigjur Burim Sadiku, shef i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në Agjencinë Kundër Korrupsion. Ai ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i strategjisë së re kundër korrupsionit është që të kontribuojë në reduktimin progresiv të korrupsionit, forcimin e integritetit dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e qeverisjes, si dhe për të promovuar parimin e “tolerancës zero” ndaj korrupsionit.

“Paraprakisht, para se të hartohet strategjia e re kundër korrupsion, Agjencia Kundër Korrupsion ka kërkuar nga 13 institucione që ta bëjnë vlerësimin e rrezikut të korrupsionit dhe ky vlerësim, ose këto rreziqe të përgjithshme, janë inkorporuar në strategjinë e re”.

“Unë do t’i përmend disa rreziqe që janë evidencuar në të gjithë sektorët. Është konflikti i interesit; mungesa e pavarësisë institucionale dhe integritetit; mungesa e qasjes së hapur dhe të lirë në të dhëna; mungesa e investimeve në burime njerëzore dhe institucionale. Po ashtu, burim për ndërtimin e strategjisë ka qenë edhe Raporti i Progresit 2011, si dhe raporte tjera ndërkombëtare dhe vendore”, ka sqaruar Sadiku.

Ndërkaq, sipas raportit të Organizatës Botërore për luftë kundër korrupsionit, Transparency Internacional, Kosova ka rënë edhe më shumë në rangimin e shteteve, të cilat e luftojnë korrupsionin.

Përfaqësuesja e kësaj organizate, Merita Mustafa, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht raportet e organizatave ndërkombëtare, të cilat shprehin brengosje për shkallën e korrupsionit në Kosovë.

Lidhur me strategjinë e re kundër korrupsionit, Mustafa është shprehur:

“Ajo që kemi parë deri më tash në Kosovë, se çka ndodh me dokumente të tilla dhe iniciativa të tilla, qofshin nga Agjencia Kundër Korrupsionit, qofshin nga Qeveria, sipas perceptimit tim, është se ende nuk e kanë atë qasjen serioze dhe nuk kanë vendosur seriozisht ta luftojnë korrupsionin. Janë këto dokumente që hartohen dhe ligje vetëm sa për t’i përmbushur më shumë deklaratat e politikanëve dhe të agjencive, të cilat thirren për luftën kundër korrupsion dhe që, në realitet, ende nuk kanë treguar efekt”.

Mustafa, gjithashtu, ka theksuar se institucionet përkatëse në Kosovë, luftën kundër korrupsionit duhet ta fokusojnë në sektorët më të korruptuar, e që sipas perceptimit që ka Transparency Internacional, janë: partitë politike, gjyqësori, parlamenti, si dhe shërbyesit civilë apo administrata publike.

Ndryshe, Strategjia Kundër Korrupsion 2012-2016 tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG