Ndërlidhjet

Dodik në Maqedoni


Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, në Maqedoni...

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, në Maqedoni...

Analistët politikë shqiptarë dhe ata maqedonas shprehin qëndrime të ndryshme sa i përket vizitës së presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodikut në Shkup dhe qëndrimeve të tij për të ardhmen e Bosnjës.

Bllagoja Markovski, drejtor i Forumit Ballkanik për Siguri, takimin e së premtes të Dodikut me zyrtarët e lartë të Maqedonisë, e sheh në rrafshin e thellimit të bashkëpunimit rajonal duke nënvizuar se qëndrimet e tij radikale nuk do të prekin raportet e Maqedonisë me Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Nuk pres ndonjë zhvillim të posaçëm ose rezultate të veçanta nga kjo vizitë. Thjesht, kjo vizitë duhet parë në kontekst të bashkëpunimit rajonal, për të ardhmen e të gjitha vendeve që janë pjesë e Ballkanit perëndimor”, thekson Markovski.

Ndërkaq, Bekim Kadriu, ligjërues i Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Tetovës, gjithashtu thekson se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në këtë situatë delikate, në të cilën ndodhet Maqedonia me bllokimin e procesit integrues.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik.


Andaj, sipas Kadriut, Maqedonia duhet të tregohet e kujdesshme me përzgjedhjen, si të nivelit të bashkëpunimit, ashtu dhe orientimin e saj kah forcat progresive evropiane.

“Shumë problematike është se nuk vjen një zyrtar i lartë i nivelit të njëjtë në Republikën e Maqedonisë, por vjen zyrtari, i cili i takon një njësie federale të Bosnje dhe Hercegovinës, ajo është pra diskutabile për mua. Gjithsesi se Maqedonia e ka obligim të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe nëse duhet të mbajë komunikim me Bosnjën me qëllim të bashkëpunimit ekonomik dhe në lëmit tjerë, duhet të vijnë zyrtarë të shtetit të Bosnjës dhe jo një zyrtar i një pjese të vetadministrimit të federatës, siç është rasti tani i Republikës Serbe. Pra, kjo është kontraverse”, vlerëson Kadriu.

Duke komentuar anashkalimin e praktikës që zyrtarët, pas takimeve bilaterale, të prononcohen për mediat, ai vlerëson se për të hedhur poshtë të gjitha dyshimet e errëta opinionit, duhet të sqarohet qëllimi i vizitës, veçanërisht në një shtet multietnik siç është Maqedonia, ku miqësitë reflektohen dhe në marrëdheniet ndëretnike.

“Qeveria duhet të jetë transparente në këtë drejtim, të ketë deklarata ose qëndrimet t’i shprehin publikisht para qytetarëve që të shihet qëllimi, pra ky moment është shumë i rëndësishëm”, shton Kadriu.

Ndryshe, presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, të premten ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoni, me ftesë të presidentit Gjorgje Ivanov. Përveç me presidentit maqedonas, Dodik ka realizuar takim dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.
XS
SM
MD
LG