Ndërlidhjet

VV: Thaçi nuk na ftoi në takim


Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mohuar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar ata në një takim me të gjitha partitë politike, për t’i njoftuar rreth mbledhjes së Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, që është mbajtur në Vjenë.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se shefi i ekzekutivit kosovar nuk e ka thënë të vërtetën kur është pyetur nga gazetarët nëse është ftuar ose jo Vetëvendosje.

Sipas tij, zyrtarët e Vetëvendosjes nuk e dinë përse nuk janë ftuar në këtë takim.

“Në fakt, nga konkluzat që vijnë nga ky takim, më mirë është edhe që nuk na ka ftuar. Aty u kërkua nga partitë dhe subjektet politike që të nënshkruhet një deklaratë, që do të ishte një mesazh gjoja koncensual nga politika kosovare, se ka mbetur edhe pak kohë për të përfunduar mbikëqyrja për pavarësinë dhe se partitë mbështesin përmbushjen e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit”, tha pos tjerash Ymeri.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të përfundojë faza e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, pas takimit të mbajtur javën e kaluar në Vjenë, 25 vendet anëtare të këtij Grupi kanë shprehur si vullnet politik që kjo fazë të përmbyllet në fund të këtij viti.
XS
SM
MD
LG