Ndërlidhjet

Kompanitë më të suksesshme private në Kosovë thuhet se janë të afërta me zyrtarë të partive të ndryshme politike që veprojnë në vend, apo që janë të krijuara nga vetë politikanët dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se aktualisht bizneset në Kosovë janë të orientuara dhe të ndikuara nga politika.

Sipas disa hulumtimeve që ka bërë Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thuhet se sektori privat është tepër i varur nga sektori publik dhe shumë shpesh kompanitë më të suksesshme janë të afërta ose të themeluara nga politikanët.

Udhëheqësi i kësaj organizate, Avni Zogiani, thotë se kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera.

“Sipas hulumtimeve të fundit të organizatës ‘Çohu’, kemi gjetur se 10 milionë euro nga tenderët publikë, iu shkojnë kompanive që kanë financuar apo përkrahur politikën në një mënyrë apo një tjetër, ose kanë qenë të themeluara nga politikanët apo nga të afërmit e tyre”, shprehet Zogiani.

Vetë fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët janë bërë biznesmenë, thotë profesori i ekonomisë, Musa limani, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.

Një numër i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në ekzekutiv jo zyrtarisht janë edhe biznesmenë, thotë Limani, duke shtuar se kjo ka bërë që të bëhen milionerë në një shtet ku varfëria dhe papunësia është shumë e madhe.
...për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar.

“Unë them se njerëzit që gjenden në institucione edhe më të larta shtetërore, deputetë, ministra, zëvendësministra, të cilët i kanë bizneset e veta dhe faktikisht duke keqpërdorur pozitën e tyre në këto institucione, mbështesin dhe e favorizojnë biznesin e tyre. Prandaj unë plotësisht pajtohem se për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar”, thotë Limani.

Në Kuvendin e Kosovës konsiderohet se janë rreth 40 deputete, të cilët kanë deklaruar pasurinë e tyre më shumë se një milion euro. Këta deputetë janë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosja. Disa nga ta janë zyrtarisht pronarë të kompanive të ndryshme, e disa jo zyrtarisht njihen si biznesmenë.

Por, megjithatë, deputetët biznesmenë nuk mund të ndikojnë në jetën ekonomike, thotë Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse ai pranon se disa deputetë, anëtarë të këtij komisioni, njihen edhe si biznesmenë, Pajaziti shprehet se prezenca e tyre në këtë komisionin ka ndihmuar shumë në përmirësimin e mekanizmave ligjorë sa i përket sektorit privat.

Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti

“Në fakt, në komisionin që drejtoj unë, ka disa deputetë që kanë bizneset e tyre, por për të qenë plotësisht korrekt dhe i sinqertë, krejt çka kam vërejtur unë, ata në procesin e trajtimit të ligjeve kanë shfaqur më shumë njohuri dhe interesim për shkak se e njohin më mirë atë profil. Por, nuk ka pasur asnjë rast që ndikimi i biznesit të tyre, të ketë ndikuar te profili i ligjit apo të mbrojnë fizionominë e ligjeve për të mbrojtur bizneset e tyre”, thekson Pajaziti.

Zyrtarë të Qeverise së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG