Ndërlidhjet

ANEB do përgjigje nga Irani rreth programit bërthamor


Zyrtarë të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Atomike janë nisur drejt Iranit, për të biseduar rreth aktivitetit bërthamor të këtij vendi.

Kryeinspektori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Herman Nakaerts, duke folur para largimit nga Vjena, ka shfaqur shpresën se Teherani do t’iu përgjigjet shqetësimeve në lidhje me “dimensionet e mundshme ushtarake të programit të tij atomik”.

Irani ka thënë se do të bashkëpunojë me ekipin e ANEB-it gjatë vizitës së tij treditore, por ka bërë me dije se nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.

Kjo vizitë mund të hapë udhën për rifillimin e bisedimeve mes Iranit dhe Perëndimit. Raundi i fundit i tyre në janar të 2011-ës ka përfunduar pa ndonjë arritje.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër Teheranit, nga droja se synon krijimin e armëve atomike. Republika Islamike i ka hedhur poshtë akuzat.
XS
SM
MD
LG