Ndërlidhjet

Ligji "diskriminon" qytetarët e Prizrenit


Prizreni
Prizreni
Në mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit dhe kundër miratimit të një ligji që, siç thuhet, është diskriminues për këtë qendër, qytetarë të shumtë prizrenas kanë protestuar me moton “Nuk e duam ligjin”.

Protesta e organizuar nga një koalicion i organizatave joqeveritare, është mbajtur në Sheshin Shatërvan, në qendër të Prizrenit.

Në emër të koalicionit të OJQ-ve të Prizrenit, Hajrulla Çeku, ka thënë se projektligji, i cili thuhet se mund të miratohet në Kuvendin e Kosovës, krijon situata të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që, siç është shprehur ai, paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit.
Nuk e duam këtë ligj se ai është diskriminues, e shkel Kushtetutën
e Kosovës.

“Nuk e duam këtë ligj, se ai është diskriminues, e shkel Kushtetutën e Kosovës. Ligji na varfëron, e ndan qytetin e Prizrenit, e degradon trashëgiminë kulturore, nxit konflikte fetare. Gjithashtu, krijon komunë brenda komune, e shkel vullnetin e qytetarëve e pengon zhvillimin ekonomik dhe mbyt jetën kulturore të qytetit”, ka thënë Çeku.

Ndryshe, për këtë projektligj, shoqëria civile në Prizren është duke reaguar dhe kundërshtuar që nga viti 2009. Me anë të një peticioni për mosmiratimin e ligjit, janë mbledhur mbi dhjetë mijë nënshkrime të qytetarëve në Prizren.

Sipas Hajrullah Çekut, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, asnjëherë nuk i kanë marrë për bazë reagimet e qytetarëve. Ai ka shprehur bindjen se, nëse miratohet ky projektligj nga Kuvendi i Kosovës, do të diskriminohen qytetarët e Prizrenit dhe do të favorizohet një bashkësi fetare, e cila ka qenë bashkëpjesëmarrëse e gjenocidit që shteti i Serbisë ka ushtruar ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Ju kujtojmë edhe një herë që Kosova ka ligje edhe institucione adekuate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, prandaj thirrja jonë për shtetin është: Krijoni kulturën e respektimit dhe zbatimit të ligjeve. Mbroni trashëgiminë kulturore me ligjet që i keni miratuar vetë dhe përmes institucioneve që i keni themeluar vetë”, është shprehur Çeku.

Protesta e së dielës në Prizren është përkrahur edhe nga partitë politike opozitare, bashkësitë fetare, shoqatat e dala nga lufta dhe institucionet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka folur Bashkim Kajdomçaj. Ai është shprehur se këshilli konsideron se projektligji në fjalë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dispozitat e propozimit gjithëpërfshirës të dokumentit të Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Projektligji, sipas Kajdomçaj, është në kundërshtim të plotë me parimet themelore edhe të Kushtetutës, kur bëhet fjalë për neutralitetin e shtetit për çështjet e besimeve fetare.
Shkelja e vullnetit të qytetarëve paraqet shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut...

“Këshilli i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit të Kosovës që të tregohen të kujdesshme në raport me vullnetin e qytetarëve, dispozitat kushtetuese dhe parimet themelore të shtetit të Kosovës. Shkelja e vullnetit të qytetarëve paraqet shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe, si e tillë, është në kundërshtim me praktikat demokratike të qeverisjes”, ka theksuar Kajdomçaj.

Kundër Ligjit për Prizrenin dhe në favor të protestës, është shprehur edhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës.

Drejtuesja e këtij rrjeti, Igballe Rogova, ka thënë se me tendencën për miratimin e një ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, po tentohet të shkatërrohet një vlerë që u takon të gjithëve.

“Po u themi prej këtij sheshi, Shatërvanit, atyre atje lart, mos e prekni Prizrenin. Mos e prekni Prizrenin se nëse e prekni Prizrenin, e keni prekur gjithë Kosovën”, është shprehur Rogova.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit janë ftuar që për 15 minuta të tjerë të rrinë në heshtje, si shenjë proteste dhe mospajtimi me projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

Projektligji për Hoçën e Madhe dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit figurojnë në listën e atyre ligjeve që burojnë nga Plani i Ahtisarit, miratimi i të cilëve thuhet se është i nevojshëm në rrugën drejt përfundimit të periudhës tranzitore të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.
XS
SM
MD
LG