Ndërlidhjet

Luftime të rënda pranë Damaskut


Mijëra ushtarë sirianë të dielën janë zhvendosur në periferinë e Damaskut, e cila, së fundmi, ka qenë nën kontrollin e dezertorëve të ushtrisë, që tashmë mbështesin protestuesit anti-qeveritarë.

Videot e postuara në ueb-faqet e mediave sociale tregojnë tanke të rënda dhe këmbësori duke u vendosur brenda dhe përreth Damaskut, ku edhe janë raportuar luftime ndërmjet trupave të regjimit dhe dezertorëve.

Aktivistët thonë se bëhet fjalë për të paktën 2,000 ushtarë me rreth 50 tanke dhe automjete të blinduara që lëviznin drejt zonës Ghuta, në skajin lindor të Damaskut.

Sipas aktivistëve, ushtria po përpiqet të parandalojë rebelët nga krijimi i bastioneve afër qendrës së qeverisë.

Aktivistët dhe monitoruesit e të drejtave të njeriut thonë se, që nga e shtuna, janë vrarë dhjetëra persona, përfshirë civilë dhe trupa qeveritare.

Protestuesit, që nga muaji mars i vitit të kaluar, kërkojnë rrëzimin e regjimit të presidentit, Bashar al-Asad. Ky i fundit fajëson militantët “e mbështetur nga të huajt” për dhunën.
XS
SM
MD
LG