Ndërlidhjet

Times: Mision i pamundur


Siri...
Siri...
"Times"

Liga Arabe ka themeluar një mision muajin e kaluar, për të monitoruar dhunën në Siri.

Këtë mision e ka pezulluar dy ditë më parë, për shkak të rritjes së intensitetit të asaj që kishte ardhur për të vëzhguar.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për mbi 5,000 njerëz të vrarë, prejse presidenti Bashar al-Asad ka nisur shtypjen e protestuesve, më shumë se dhjetë muaj më parë. Por, mbi 200 persona mund të kenë humbur jetën vetëm në ditët e fundit.

Represioni i përgjakshëm i Asadit është përtej fazës, në të cilën do të mund të zbutej apo të zgjidhej nga diplomacia rajonale.

Plani i Ligës për paqe, sipas të cilit Asadi do të jepte dorëheqje dhe përgjegjësitë do t’i dorëzonte te nënpresidenti, duhet të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kokëfortësia e Asadit e bën këtë hap edhe më të nevojshëm.

Por, largimi i këtij autokrati mizor dhe të papërvojë nuk mund të ndodhë shumë shpejt.

Vendimi i Ligës për të ngrirë misionin e saj ishte i drejtë dhe i pashmangshëm. Asadi kishte pranuar misionin me shpresën se do t’i zhdukte kritikat ndërkombëtare kundër shtypjes që bën, por shpresa e tij ishte e gabuar.

Kreu i misionit, Mustafa al-Dabi, i cili posa ka arritur në Damask muajin e kaluar, ka deklaruar se “nuk ka parë asgjë të frikshme”.

Disidentët sirianë e kanë hedhur poshtë këtë vërejtje.

Anvar Malek, anëtar i delegacionit, ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj asaj që ka parë si mundësi për Asadin për të fshehur “katastrofën humanitare”.

Regjimi i Asadit nuk i ka tërhequr forcat e tij nga rruga, ashtu siç ka kërkuar Liga Arabe, por thjesht i ka ripozicionuar ato për të kryer dhunë vdekjeprurëse gjetkë.

Ndonëse misioni ka qenë këmbëngulës në hetime, përcaktimi vrasës i Asadit për të mbajtur pushtetin, me çdo kusht do t’i pengonte përpjekjet e Ligës.

Kjo ka qenë prej kohësh një krizë ndërkombëtare.

Popullata e robëruar e Sirisë kërkon mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ajo duhet ta marrë atë.

Nabil Elarabi, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe, dhe Hamad bin Jasim al-Thani, kryeministër i Katarrit, po kërkojnë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për planin paqësor të shteteve arabe.

Rezoluta e hartuar nga këto të fundit, si dhe nga Franca, Gjermania dhe Britania mund të votohet nga Këshilli i Sigurimit brenda ditëve të ardhshme.

Asadi e ka quajtur planin shkelje të sovranitetit të Sirisë. Kjo është një retorikë e dëshpëruar.

Regjimi që vret civilët humb pandehjen për sovranitet.

Gjenocidi i kryer nga Sadam Huseini kundër kurdëve irakianë dhe përpjekjet e Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës do të duhej të ishin leksione.

Britania dhe aleatët e saj në Këshillin e Sigurimit duhet t’i nxisin Rusinë dhe Kinën, të cilat deri më tash kanë kundërshtuar sanksionet ndaj Sirisë.

Liga Arabe duhet të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje diplomatike.(v.t.)

Forcat e Asadit rimarrin lagjet e Damaskut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00
XS
SM
MD
LG