Ndërlidhjet

Vetëm Plani i Ahtisarit për veriun


Ligjvënësit kosovarë - foto nga arkivi
Ligjvënësit kosovarë - foto nga arkivi

Dokumenti i Ahtisarit mbetet oferta e vetme që institucionet e Kosovës ofrojnë për zgjidhjen e çështjes së veriut.

Normalizimi i gjendjes në veri, që nënkupton organizimin e zgjedhjeve komunale, vendosjen e rendit dhe ligjit atje, si dhe formimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut, janë përcaktuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues si parakushte për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë deri në fund të këtij viti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se janë të papranueshme të gjitha propozimet për zgjidhjen e çështjes së veriut e të cilat janë në kundërshtim me Pakon e Presidentit Ahtisari, mbi bazën e të cilit ishte shpallë edhe pavarësia e Kosovës në koordinim me aleatët perëndimorë.

Ne jemi të vetëdijshëm që plani i presidentit Ahtisari që është miratuar, si edhe ligjet e miratuara në Kosovë, ofrojnë zgjidhjen më të mundshme dhe optimale për të drejtat dhe liritë e komuniteteve pakicë në Kosovë. Është plani i Ahtisarit dhe plan tjetër për integrimin e komuniteteve në jetën institucionale të Republikës së Kosovës nuk ka nevojë të ketë”, thotë kryetari i Kuvendit, Krasniqi.

Në mbështetje të zbatimit të Pakos së Ahtisarit me të gjitha obligimet që kanë mbetur për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës pritet që nesër, të miratojë një rezolutë me anë të cilës do të zotohet për kryerjen e të gjitha obligimeve nga ky dokument.

Rezoluta është propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së dhe është mbështetur nga shumica e partive parlamentare.

Por, kjo rezolutë nuk është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri thotë se një prej arsyeve pse ky subjekt politik nuk e mbështetë këtë rezolutë është fakti se Kuvendi nuk ka nevojë për zotime, por duhet të kryej punën e vet sipas Kushtetutës.

Ndërkaq, paralajmërimet e ndryshme për zgjidhje të veçanta për veriun, Ymeri i konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme.

Shtetin e Kosovës nuk mund ta ndërtojmë sipas dëshirave të Serbisë, pasi që nëse e ndërtojmë sipas dëshirave dhe tekave të Serbisë, atëherë nuk do të kemi shtet. Rrjedhimisht kjo që po flitet tash e që është folur për një kohë për veriun e Kosovës, natyrisht që po ta zbërthejmë në terme konkrete përfundon në një fjali të vetme, e ajo është një status i veçantë për veriun e Kosovës i cili do të ishte autonom nga funksionimi politik e financiar nga pjesa tjetër e Kosovës. Ne jemi absolutisht kundër kësaj siç kemi qenë kundër ndarjes etnike që i është bërë Kosovës me Planin e Ahtisarit”, thekson Ymeri.

Në anën tjetër, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se veriu mbetet çështje aktuale dhe e ndërlikuar ku ende ka barrikada nëpër rrugë, por zgjidhjet, sipas tij duhet të gjinden vetëm përmes dialogut.

Ai thotë se serbëve nuk u intereson fakti që institucionet synojnë përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues, sipas tij, përbëhet nga vendet e Kuintit dhe ato që e kanë njohur Kosovën dhe si i tillë nuk parashohin Rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara të cilën Serbia e konsideron si valide.

Ai para së gjithash pret që për veriun të shqyrtohet plani i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, duke parashikuar një kohë më të gjatë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjithë sesa që institucionet e Kosovës e mendojnë aktualisht.

Fatkeqësisht është iluzion të pritet që kaq shpejt mund të vijmë deri te zgjidhja e këtij problemi”, thekson Bogdanoviq.

Sidoqoftë oferta përmes Pakos së Ahtisarit mbetet si kundërpërgjigja e vetme që Prishtina zyrtare ka në raport me të gjitha propozimet që deri më tani kanë ardhur për veriun nga Beogradi, nisur nga ato për ndarje e deri te plani katër pikësh i presidentit serb Boris Tadiq, me të cilin ai përpiqet që këtë pjesë të Kosovës ta nxjerr si territor autonom me lidhje të posaçme me Serbinë.
XS
SM
MD
LG