Ndërlidhjet

Irani mund të prodhojë armë bërthamore ‘brenda një viti’

  • RFE /RL

Iran

Iran


Sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta tha se bazuar në pritjet e analistëve, Irani mund të zhvillojë një armë bërthamore brenda një viti- po që se për këtë vendos republika islamike.

Duke folur në programin televiziv në SHBA, “60 minuta”, Paneta tha se
Iranit do t’i duhen edhe dy ose tri vjet për të prodhuar mekanizmin që do të dërgonte armën në destinacionin e caktuar.
Ekziston konsensusi që nëse Irani vendosë të shkojë përpara me këtë, do t’i duhen rreth një vit për të prodhuar armën bërthamore...

Ekziston konsensusi që nëse Irani vendosë të shkojë përpara me këtë, do t’i duhen rreth një vit për të prodhuar armën bërthamore, dhe më pas edhe një apo dy vjet për të formuar raketa apo mjete tjera, që do ta çonin armën në objektivin e caktuar”, tha Paneta.

Komentet e Panetës vijnë pak kohë pasi një ekip i inspektorëve të agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore, filloi një mision të ri në Iran, për të monitoruar aktivitetet bërthamore.

Irani në mënyrë të vazhdueshme ka mohuar se po tenton të krijojë armë bërthamore, por një raport i agjencisë, i publikuar në muajin nëntor, tha se disa aspekte të programit mund të kenë përmbajtje ushtarake.

Në intervistën televizive, Paneta tha se përvetësimi i armëve bërthamore nga Irani, paraqet ‘vijë të kuqe’ për SHBA-të, sikurse edhe për aleatin e Uashingtonit në Lindjen e Mesme, Izraelin.

Leon Paneta

Leon Paneta

Nëse ata vazhdojnë me programin, dhe ne marrin informacione nga shërbimet e fshehta se ata po zhvillojnë armët bërthamore, atëherë ne do të ndërmarrim çfarëdo hapa të nevojshëm për t’i ndaluar”, tha Paneta për televizionin CBS News.

Në lidhje me dërgimin e misionit të Agjencisë së OKB-së për Energji Bërthamore në Republikën Islamike, ministri i jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi tha se është “optimist” për misionin, i cili do të qëndrojë në Iran deri të martën.

Me pak fjalë do të thosha se jam optimist për këtë vizitë. Natyrisht, nuk them se do të ndodhë mrekullia brenda natës, por një udhëtim i gjatë fillon me hapin e parë”, tha Salehi.

Ai tha se inspektorët do të lejohen që të vizitojnë çdo pjesë në Iran, për të cilën shprehin interesim.

Të dielën kryetari i parlamentit Ali Larixhani tha se vizita e misionit të Agjencisë së OKB-së për Energji Bërthamore është një ‘test’ për agjencinë, duke shtuar se Irani do të bashkëpunojë me IAEA-në dhe do të “sillet në mënyrë profesionale” dhe jo si “mjet i perëndimit”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG