Ndërlidhjet

Me rezolutë për fundin e mbikëqyrjes


Parlamenti i Kosovës - foto nga arkivi

Parlamenti i Kosovës - foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën zotohet se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në fund të këtij viti.

Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur nga të gjitha subjektet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Për miratimin e rezolutës, kanë votuar 83 deputetë, 13 ishin kundër, kurse 1 abstenoi.

Teksti i harmonizuar i rezolutës është lexuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Duke njohur përparimet që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë dhe përparimin që do të vazhdojë ta bëjë dhe duke mirëpritur vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të synuar përmbylljen e pavarësisë gjatë vitit 2012, ju ftoj që ta miratoni këtë Rezolutë”, tha Grabovci.

Rezoluta e lexuar nga deputeti Grabovci fton edhe Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe fillimin e ndryshimeve kushtetuese për bartjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.

Rezoluta fton Qeverinë e Kosovës, anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil që me prioritet të përgatisin dhe miratojnë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës (Planin e Ahtisarit) si dhe të hartojë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë për t’ia paraqitur këto kuvendit, jo më vonë se katër javë nga data e nxjerrjes së kësaj rezolute”, lexoi Grabovci.

Rezoluta është mbështetur nga kryeministri Hashim Thaçi.

Ai tha se me këtë vendim, Kuvendi po miraton përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe fillimin e pavarësisë së plotë të Kosovës.

Kjo nuk është meritë e vetëm një qeverie, e një partie apo një mandati. Kjo është merita e shtetit tonë, e demokracisë sonë, e reformave demokratike, është meritë e të gjithë qytetarëve, është meritë e juaj të nderuar deputetë. Ky është zotimi ynë për Kosovën e re, Kosovën evropiane. Të gjithë ne, sot po fillojmë një fazë të re për Kosovën. Unë ju siguroj që Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha detyrimet dhe obligimet që dalin karshi rezolutës, në mënyrë që ky proces të përmbyllet suksesshëm”, është shprehur Thaçi.

Përveç partive në pushtet, rezoluta është mbështetur edhe nga dy parti opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja. Kurse është kundërshtuar nga subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Visar Ymeri tha se Vetëvendosje nuk pajtohet që Kuvendi i Kosovës t’i miratojë obligimet nga Pakoja e Ahtisarit pa u përcaktuar se cilat janë ato obligime.

Ai tha se kushtëzimet e bëra për fundin e mbikëqyrjes ndërlidhen me veriun e Kosovës, çka sipas tij, mund të qojë deri te një status special për këtë pjesë të vendit.

Visar Ymeri

Visar Ymeri

Konsensusi nuk kërkohet të formalizohet për diçka që tashmë ekziston, pra për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, por që të arrihet diçka që deri tash nuk ka ekzistuar e që është statusi i veçantë për pjesën veriore të Kosovës dhe pranimi i marrëveshjeve të deritashme të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë”, ka thënë Ymeri.

Vetëvendosje paraqiti dhe një rezolutë tjetër nga ajo e PDK-së, e cila mes tjerash kërkonte disa ndryshime kushtetuese për fuqizimin e shtetit të Kosovës të cilat kërkonin edhe referendum për miratim.

Rezoluta e sotme e Kuvendit pasoi takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Vjenë të mbajtur më 24 janar ku si konkluzion kryesor ishte ai për fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare deri në fund të këtij viti, por duke lënë si parakusht përparimet që duhet të arrihen në veri të Kosovës.

Megjithatë, gjatë debateve disa nga deputetët, si nga radhët e pozitës ashtu edhe ata të opozitës, shprehën dyshime se gjendja në veri mund të normalizohet deri në fund të vitit, marrë parasysh trendet aktuale të zhvillimeve në atë pjesë të Kosovës.

Miratimi i rezolutës është mirëpritur menjëherë nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili ka shprehur gatishmërinë që t’i institucionet e Kosovës në zbatimin e plotë të Planit të Ahtisarit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG