Ndërlidhjet

logo-print
Njëzetepesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një traktat të ri fiskal që imponon një disiplinë fiskale në eurozonë, duke kërkuar nga nënshkruesit që të përfshijnë rregullat e një buxheti të balancuar në legjislacionin e tyre kombëtar.

Nuk janë përfshirë në këtë traktat Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar.

Traktati i ri do të nënshkruhet nga liderët e Bashkimit Evropian në një samit që është paraparë të mbahet me 1 dhe 2 mars dhe do të hyjë në fuqi, pasi që të ratifikohet nga 12 shtete.

Procesi lejon fillimin e funskionimit të tij, madje edhe nëse Irlanda, e cila me kushtetutë është e obliguar të mbajë referendum për traktatet ndërkombëtare, vendos ta hedhë atë në votim.

Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi atë që njihet si kompakt fiskal, në një samit të ngjashëm në dhjetor, do të jetë e pranishme në samitet e ardhshme të eurozonës si një vëzhguese, ndërsa Republika Çeke mund të bashkohet në një fazë të mëvonshme.

Praga ka kërkuar më shumë kohë për të studiuar dokumentin.
Nënshkruesit e tekstit janë përkushtuar për buxhete të balancaura dhe kanë pranuar “pasojat automatike” po që se dështojnë të arrijnë caqet e dëshiruara.

Gjykatës Evropiane të Drejtësisë do t’i jepet kompetenca që të verifikojë zbatimin e marrëveshjes.

Kryeministri suedez Fredrik Rajnfelt tha pas takimit se është i kënaqur me tekstin.

Mund të thuhet se kjo forcon ndikimin tonë, që ka qenë me rëndësi për ne”, tha Rajnfelt.

Liderët arritën marrëveshjen për traktatin, pas një zgjidhjeje kompromisi në lidhje me pyetjen nëse vendet që nuk bëjnë pjesë në eurozonë duhet të lejohen të marrin pjesë në samitet tjera të eurozonës të propozuara në marrëveshje.

Takimi gjysmëditor, që kishte për qëllim stimulimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, në kohën kur qeveritë në Evropë po shkurtojnë shpenzimet publike dhe po rrisin taksat për të zgjidhur problemet e tyre me borxhet, është domunuar nga një përplasje mes Francës- e cila dëshironte pjesëmarrjen në samite vetëm të 17 shteteve që përdorin monedhën e përbashkët- dhe Polonisë e cila shtynte përpara pjesëmarrjen e 10 shteteve tjera që nuk përdorin euron.

Marëveshja e kompromisit për lejimin e vendeve joanëtare të eurozonës që të marrin pjesë të paktën në njërin nga dy samitet është refuzuar para takimit nga kryeministri polak Donald Task.

Polonia, sikurse edhe shumë vende tjera, është e gatshme që të marrë përgjegjësinë për kompaktin fiskal, por nën një kusht: që edhe shtetet tjera të marrin po ashtu pjesë në procesin vendimarrës të ekzekutimit të kompaktit fiskal”, tha Task.

Varshava ka heshtur kur një rresht i tekstit është shtuar, e i cili tregon kushtet se kur një shtet jo anëtar i eurozonës mund të marrë pjesë në samite.

Liderët po ashtu kanë diskutuar përpjekjen e dytë për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi, edhe pse kjo temë nuk ishte në agjendën zyrtare.

Gjatë fundjavës, zyrtarët gjermanë sugjeruan që ta vënë nën kontrollin e Bashkimit Evropian buxhetin e Greqisë, në mes të kritikave se borxhi që ka kapluar shtetin mediteran, ka bërë që të dështojnë reformat e premtuara dhe shkurtimet e ashpra buxhetore.

Athina ka përjashtuar këtë sugjerim duke e quajtur shkelje të sovranitetit kombëtar- një pozicion me të cilin janë pajtuar shumica e liderëve në samit.

Pakoja e dytë e shpëtimit për Greqinë duhet të jepet në muajin mars, po që se vendi shmang mospagesën e borxheve, por Athina ende po negocion me bankat private anulimin e borxheve, që është parakusht i BE-së për ndihma të mëtejme.(a.i.)
XS
SM
MD
LG