Ndërlidhjet

Shqetësime për tensionet ndërfetare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Të hënën në mbrëmje, në Llabunishtë të Strugës, persona të panjohur i kanë vënë flakën një kishe ortodokse, por, zjarri ka shkrumbuar vetëm objektet ndihmëse të saj.

Reagimi i shpejt i banorëve ka pamundësuar që flakët të përfshijnë edhe hapësirat e kishës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po punojnë për hetimin e kësaj ngjarjeje që ka ngritur tensionet në këtë rajon me popullatë të përzier etnike.

Hetimet janë në rrjedhë e sipër. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet e specializuara për të përcaktuar dëmet dhe motivet që çuan në shpërthimin e zjarrit. Për këtë ngjarje jemi njoftuar nga banorët e Llabunishtës, madje ka informacione se ata edhe kanë marrë pjesë në shuarjen e tij, por gjithçka do të dihet pas përfundimit të hetimit që pritet të zgjasë, pasi ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë dhe meqë nuk kishte kushte, hetimi u vendos të zhvillohet sot”, u shpreh Stefan Dimovski, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ngjarja e mbrëmshme në Llabunishtë ndodhi vetëm disa ditë pas protestës së organizuar në Strugë kundër fyerjeve që iu bënë shqiptarëve dhe besimtarëve islamë në Karnavalin e Vevçanit.

Lidhur me këtë rast, është prononcuar edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka dënuar këtë vepër duke kërkuar ndriçimin e plotë të saj ndërsa hedh dyshime mbi autorët e mundshëm.

Mund të jenë edhe të përkatësisë ortodokse, sepse këtë punë nuk e bëjnë qytetarët myslimanë të Llabunishtës. Ata kur kanë parë zjarrin kanë dërguar ujë dhe kanë punuar deri në shuarjen e tij. Kështu që besohet në persona të tjerë dhe lirisht mund të them se të gjitha këto provokime vijnë nga jashtë, pra ky mund të jetë edhe një provokim i radhës, vetëm e vetëm që të mbajnë akoma tensionin e lartë në qytetin e Strugës”, tha Merko.

Ai shtoi se me këtë provokim tentohet të minimizohen provokimet e tmerrshme, siç shprehet ai, në Karnavalin e Vevçanit, një komunë kjo e vogël e rajonit të Strugës, e banuar me popullatë maqedonase dhe e cila çdo vit organizon një karnaval ku përqeshen personalitete të politikës.

Por, këtë vit ka pasur edhe defilime tjera që janë konsideruar si fyese.

Madje, për disa pjesë të këtij manifestimi kishte reaguar edhe Greqia, pasi pjesëmarrësit bartnin në dorë një arkivol me flamurin grek, që nga Athina ishte komentuar si varrosje e shtetit grek.

Apeloj edhe tani njerëzit të mos bien pre e provokimeve dhe ta ruajnë edhe më tej bashkëjetesën në qytetin e Strugës...
Por, kryetari i komunës së Strugës beson se këto ngjarje të pahijshme do t’i mbeten të kaluarës dhe do të rikthehet bashkëjetesa e njohur për këtë rajon.

Apeloj edhe tani njerëzit të mos bien pre e provokimeve dhe ta ruajnë edhe më tej bashkëjetesën në qytetin e Strugës dhe bashkërisht të gjitha etnitetet të punojnë në mirëqenien e qytetarëve dhe sigurisht për perspektivën e gjeneratave që vijnë”, u shpreh Merko.

Edhe komisioni për marrëdhënie mes bashkësive etnike në Strugë ka kërkuar nga palët që të punojnë në uljen e tensioneve.

Situata është brengosëse, është e acaruar me deklarata të pamatura të politikanëve që janë keqpërdorur për qëllime tjera. Mendoj se secili duhet të kontribuojë në drejtim të qetësimit të ndjenjave të këtij rasti”, deklaroi Agim Dauti, kryetari i komisionit për marrëdhënie mes bashkësive etnike.

Komisioni i ka dënuar të gjitha aktivitetet që janë reflektuar negativisht në bashkëjetesën në komunën e Strugës, përfshirë edhe karnavalin e Vevçanit.

Ndërkohë, zhvillimet në këtë qytet po ndiqen me vëmendje edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Atje të martën kanë qëndruar delegacione të OSBE-së, BE-së dhe të ambasadës së SHBA-së.

Ata kërkojnë nga pushteti të zbardhë të gjitha rastet në Strugë dhe të nxjerrë para drejtësisë autorët e tyre.

“Marrëdhëniet e mira ndëretnike janë të domosdoshme në çdo shtet, përfshirë këtu edhe Maqedoninë”, thuhet në reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG