Ndërlidhjet

Rasti Kleçka - shtyhet procesi gjyqësor


Procesi gjyqësor në rastin Kleçka është shtyrë deri të hënën, pas insistimit të mbrojtjes së Fatmir Limajt, që kërkon të sqarohen disa çështje me prokurorin e rastit, Mauricio Salustro.

Pala mbrojtëse tashmë ka paraqitur kërkesën për largimin e tij nga ky rast, pasi që, sipas avokatëve, Salustro ka urdhëruar dëshmitarin Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari ‘X’, të nënshkruajë dokumente në gjuhën angleze, pa ditur se çfarë ka në to.

Avokati i zotit Limaj, Tahir Rrecaj, tha për Radion Evropa e Lirë se para se të procedohet tutje, është kërkuar shtyrja e procesit.

“Arsyeja e shtyrjes ishte kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit të rastit, zotit Mauricio Salustro. Bazë dhe arsye për kërkesën e mbrojtjes ishte ngritja e shumë akuzave të rënda nga ana e dëshmitarit ‘X’, tani i njohur si Agim Zogaj, dhe gruas së tij, lidhur me presionet që ka bërë prokurori i rastit, Salustro, dhe policët ndërkombëtarë të EULEX-it”, tha Rrecaj.

Sipas tij, pala mbrojtëse ka kërkuar që prokurori Salustro të merret si dëshmitar i rastit në këtë proces, pasi që ndaj tij ka akuza shumë serioze.

Salustro ka deklaruar se ai nuk mund të merret si dëshmitar pasi ka imunitet.

Procedura e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka" - ka nisur të hënën.
XS
SM
MD
LG