Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi me qëndrime të largëta


Qëndrimet e Prishtinës dhe të Beogradit sa i takon çështjes së bashkëpunimit rajonal janë shumë larg njëra-tjetrës, ka deklaruar shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Robert Kuper.

“Fillimisht dua të them se, sa i takon bashkëpunimit rajonal, qëndrimet janë shumë larg. Pozicioni ynë është i qartë: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur, si edhe shtetet tjera të rajonit - me autoritetin e saj, me simbolet shtetërore. Duhet të jetë shtetërore dhe duhet të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale”, ka deklaruar Tahri në konferencën për media, që ka mbajtur pas takimit me ndërmjetësin evropian në bisedime.

Ky i fundit ishte paraparë të qëndronte në Prishtinë javën e kaluar, një ditë pas takimeve që ka zhvilluar në Beograd. Vizita e tij ishte anuluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Pas takimit të fundit të zotit Kuper me kreun e delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq, ky i fundit ka thënë se i ka propozuar ndërmjetësit evropian disa propozim-modele për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij, janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Diplomatët evropianë kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë çështje të rëndësishme për euro-integrimin e Serbisë.
XS
SM
MD
LG