Ndërlidhjet

Ban apelon pro planit të Ligës Arabe


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, tha se Këshilli i Sigurimit duhet t’i tejkalojë mosmarrëveshjet për planin e Ligës Arabe, që do t’i jepte fund dhunës në Siri.

Ban, duke folur gjatë vizitës në Jordani, shfaqi shpresën se takimi i Këshillit të Sigurimit, që pritet të zërë vend sonte, do të jetë një mundësi për kapërcimin e dallimeve.

“Unë sinqerisht besoj se ky takim, i ndjekur nga shumë përfaqësues të lartë, përfshirë ministra të jashtëm të disa vendeve, do të sjellë një mundësi të mirë për të tejkaluar dallimet dhe për të adresuar këtë çështje”, ka thënë Ban.

Liga Arabe, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania do t’i kërkojë Këshillit miratimin e rezolutës që i bën thirrje presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, t’i dorëzojë kompetencat te zëvendësi i tij, i cili edhe do të formojë qeverinë e përkohshme para organizimit të zgjedhjeve.

Zyrtarët rusë e kanë kundërshtuar draft-rezolutën duke thënë se ajo “mund t’i shtrojë rrugën ndërhyrjes ushtarake në Siri”.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 5,400 persona kanë humbur jetën që nga shpërthimi i protestave anti-qeveritare në shtetin sirian, marsin e kaluar.

Aktivistët për të drejtat e njeriut në Siri thanë se për dy ditë, më shumë se 180 njerëz janë vrarë në rrethinat e Damaskut.
XS
SM
MD
LG