Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit:Sfida të shumta


Ilustrim
Ilustrim
Mbështetja e dialogut për liberalizimin e vizave, përmirësimet në sistemin i drejtësisë, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe përmbushjet e detyrave që dalin nga Raporti i Progresit janë përmendur si prioritete dhe detyra për institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare në takimin e parë për këtë vit nga Bordi për Sundimin e Ligjit.

Shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak, me këtë rast bëri të ditur se misioni, të cilin e drejton ai, do të fokusohet kryesisht në përmirësimin e kornizës ligjore.

Marnak përmendi, po ashtu, tri nga çështjet, që, sipas tij, janë ndër kryesoret.

Ksavier Bu de Marniak
Ksavier Bu de Marniak
“Unë do ta fokusoj misionin tim në tri fusha për vitin 2012. E para do të jetë për zhvillimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti sa i përket aktiviteteve të përbashkëta me institucionet e Kosovës. E dyta, duke mbështetur dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Dhe, e treta, do të jetë rikthimi i lëvizjes së lirë dhe operacioneve tona në veri të Kosovës”, deklaroi mes tjerash Marnak.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se të gjitha grupet punuese, që përfshijnë përfaqësuesit e ministrive, të komponentëve të EULEX-it dhe të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, janë duke punuar në arritjen e planeve konkrete për forcimin e ligjit.

Siç tha Kuçi, një nga prioritete kryesore do të jetë çështja e liberalizimit të vizave.

“Qeveria e Kosovës do të jetë e përkushtuar që t’i adresojë këto sfida dhe të gjitha sfidat që dalin nga Raporti i Progresit, në veçanti, ne që jemi prezent këtu për fushën e rendit dhe ligjit. Rendi dhe ligji është një fushë jashtëzakonisht komplekse, e cila po përballet me shumë sfida dhe problem, por Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare që janë në Kosovë, vazhdimisht janë duke punuar për krijimin e një vizioni dhe planeve konkrete që ndihmojnë rendin dhe ligjin dhe, unë do të thosha, vazhdimin e reformave”, theksoi Kuçi.

Edhe kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khaldun Sino, konstatoi se nga takimi i fundit i këtij bordit në vitin e kaluar, janë disa zhvillime të rëndësishme që kanë ndodhur.

Sipas tij, dialogu për viza që ka nisur, është shumë i rëndësishme për Kosovën.

“Tash jemi duke punuar në udhërrëfyesin, i cili shpresojmë që do të shqyrtohet me autoritetet kosovare diku në pranverë. Ju e dini se elementet janë gati dhe këto elementet do të vijnë në Bordin për sundimin e ligjit, pra kur bëhet fjalë për krimin e organizuar, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit etj. Pra, ka shumë aktivitete që duhet bërë në sundimin e ligjit dhe shumë gjëra të tjera që të mund të shohim se ku qëndrojmë”, u shpreh Sino.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i Drejtësisë, tha se institucionet e vendit gjatë këtij viti do të angazhohen edhe më tej në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës.

“Do të fokusohemi në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës, i cili është një proces jo i lehtë dhe që kërkon angazhim të të gjithë neve, kërkon durim, por njëkohësisht kërkon edhe një bashkërendim të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Ne do të punojmë ngushtë edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të mbështetur luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, sqaroi Kuçi.

Ky bordi, i cili diskuton përparimet dhe sfidat që dalin në përmbushjen dhe respektimin e ligjit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, u tha se do të mblidhet serish në muajin prill.
XS
SM
MD
LG