Ndërlidhjet

GNK: Veriu, pengesë për Kosovën e Serbinë


Veri...
Veri...
Konflikti për sovranitetin e Kosovës vazhdon të ushqejë tensionet, ndërsa përleshjet e dhunshme në veriun e Kosovës pengojnë dialogun e brishtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe rrezikojnë kandidaturën e Serbisë për në BE.

Është ky përfundim i raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave i titulluar, “Kosova dhe Serbia: Me pak vullnet të mirë mund të ecet përpara”.

Raporti analizon paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në veri, sidomos pas përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur pikat doganore në kufi me Serbinë në muajin korrik.

Serbët kanë vënë barrikada dhe edhe më tej po bllokojnë lëvizjen e zyrtarëve kosovarë dhe të misionit evropian për sundimin e ligjit.

Serbët e veriut refuzojnë zyrtarët doganorë dhe policët kufitarë dhe bllokojnë EULEX-in, nga frika se zbarkimi është fillimi i fundit të mënyrës së tyre të jetesës në veri, që në masë të madhe ka qenë e ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës”, tha drejtori i projektit për Ballkanin i GNK-së, Marko Prelec.

Ata duhet të respektohen si palë në konflikt, dhe është gabim të mendohet se Beogradi mund t’i shtyjë ata që të pajtohen”, tha Prelec.

Ndërhyrja e korrikut ishte lëvizja më e madhe e Prishtinës që shfaqi në shtrirjen e kontrollit në veri dhe në sigurimin e kufijve që nga shpallja e pavarësisë më 2008, shkruan në raport GNK-ja.

Prishtina ndjen se Serbia e ka rritur ndikimin në veri, me gjithë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpalja e pavarësisë nuk ka shkelur ligjet ndërkombëtare dhe nga brenga se po të mos sfidohej, ndarja do të shtinte rrënjë.

Konflikti aktual, vë në pah GNK, është shumë vështirë të zgjidhet, sepse nuk është konflikt teknik për doganat; është për sovranitetin dhe doganat paraqesin vetëm njërën fushë ku po luftohet.

Palët (Kosova, serbët e Kosovës, Serbia dhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar) kanë kundërshtuar në mënyrë fundamentale interpretimin e statusit të Kosovës, statusin e veriut të Kosovës dhe kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha palët po i shqyrtojnë mënyrat që të minimizojnë rrezikun e konfliktit të mëtejmë, duke u fokusuar në zbatimin e asaj që është arritur pajtim në dialogun teknik, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Beogradit i janë dhënë tri kushte për të marrë statusin e kandidatit të BE-së në muajin mars dhe duhet të fokusohet në to.

Palët duhet të shtrojnë terrenin për bisedime të gjera politike- duke shtuar në to edhe pjesëmarrjen e liderëve serbë të veriut të Kosovës- që janë të nevojshme për tranzicionin paqësor të sovranitetit të Kosovës ne veri dhe normalizimin dhe njohjen mes dy shteteve sovrane.

Qeveria e Kosovës duhet të abstenojë nga operacionet për të shtrirë autoritetein në veri pa një marrëveshje preliminare të të gjithë palëve të përfshira dhe pa pjesëmarrje e përfaqësuesve të komunitetit serb të veriut.

Ngjashëm komuniteti serb i veriut të Kosovës duhet të angazhohet me Prishtinën pa vënë parakushte. Serbia duhet të sigurojë se rrugët e kryqëzimit me Kosovën janë të lira nga pengesat dhe të vazhdojë thirrjet ndaj serbëve që të shpërbëjnë barrikadat.

Shumë serbë në Serbi dhe në Kosovë nuk dëshirojnë që të panojë se veriu eventualisht të futet brenda rendit kushtetues të Kosovës. Megjithatë akomodimi është i nevojshëm për Beogradin që të vazhdojë me procesin e anëtarësimit në BE”, ka thënë drejtoresha e programit për Evropën e GNK-së, Sabine Frajzer.

Që integrimi të jetë paqësor, megjithatë duhet të jetë gradual dhe si rezultat i kompromiseve politike dhe marrëveshjeve”, ka thënë ajo.


Përmbledhjet dhe konkluzionet


Situata e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës, rrezikon ndaljen e dialogut të ndjeshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe e kërcënon stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe procesin kandidues të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Përpjekja e Prishtinës për ta kontrolluar gjithë territorin e shtetit të ri, e veçanërisht kufijtë e vet me Serbinë, dhe vendosmëria e serbëve të veriut të Kosovës për të rezistuar, mund të prodhojë më tepër viktima.

Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta inkurajojnë Beogradin, që ta pranojë qeverinë në Prishtinë si të barabartë, bile edhe pa njohje formale, por nuk duhet të pritet që kjo do ta detyronte bashkëpunim lokal në veri të Kosovës, thuhet në raportin më të ri të GNK-së.

Të gjitha palët duhet të synojnë gjetjen e mënyrave për minimizimin e rrezikut të konfliktit të mëtejmë, duke u fokusuar në implementimin e çështjeve për të cilat është arritur pajtueshmëri në dialogun teknik dypalësh.

Raporti thotë se tensionet ishin shtuar më 25 korrik të vitit 2011, kur Prishtina e kishte dërguar policinë në dy pika doganore përgjatë kufirit me Serbinë. Serbët lokalë e kishin rrethuar policinë dhe i detyruan ata që të tërhiqeshin; një oficer ishte vrarë nga një pritë, ndërsa pikës kufitare i ishte vënë zjarri.

GNK thekson se të gjitha rrugët që çonin në pikat doganore ishin barrikaduar nga serbët e Kosovës, me qëllim që të pengohet vendosja e zyrtarëve të Kosovës.

Përderisa bllokada e rrugëve në përgjithësi ishte paqësore, dhuna shpërtheu në së paku tri raste, gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, kur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ishte përpjekur t’i shpërbëjë barrikadat dhe i kishte shtyrë prapa serbët e Kosovës.

Mospajtimi për dogana është vetëm simptomë e mospajtimeve të Serbisë dhe Kosovës lidhur me sovranitetin, veçanërisht sa i përketë pjesës veriore, thuhet në kuadër të rekomandimeve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

BE-ja pret nga Serbia që ta trajtojë Kosovës si shtet normal dhe të arrijë marrëveshje me të, edhe pse nuk e ka njohur zyrtarisht. Serbia ka bërë koncesione të rëndësishme në dhjetor të 2011, në përpjekje për të marrë kandidaturën për në BE.

Serbia shkruan GNK duhet të jetë më aktive në zbatimin e marrëveshjeve në dialogun teknik dhe në shfaqjen e vullnetit të fuqishëm politik për të arritur kushtet e BE-së. Ajo duhet të punojë ngushtë me serbët e Kosovës dhe t’i inkurajojë ata që të heqin barrikadat dhe t’i bashkohen bisedimeve me Prishtinën në uljen e tensioneve në veri.

Pas disa muaj të demonstratave kundër EULEX-it dhe KFOR-it, serbët e veriut të Kosovës janë lodhur dhe frustruar, por nuk janë shkurajuar. Ata më nuk besojnë se Beogradi po i mbron interesat e tyre plotësisht. Tensionet mund të shpërthejnë, po që se Kosova dhe KFOR-i përpiqet t’i heqë bllokadat e tyre rrugore apo po që se zbatohet marrëveshja për lëvizje të lirë mes Kosovës e Serbisë.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë të planifikuara për muajin maj, po ashtu paraqet një pikë të nxehtë.

Askush nuk dëshiron konflikt të armatosur, por rreziku dhe tensionet janë të mëdha dhe dhuna vdekjeprurëse mbetet ende një rrezik.

Të gjitha palët duhet të fokusohen në ndërtimin e besimit që është i nevojshëm për bisedime gjithëpërfshirëse politike mes Kosovës e Serbisë dhe me pjesëmarrjen e liderëve të veriut, që do të çonte në zgjidhjen e qeverisjes në veri dhe normalizimin dhe njohjen mes Serbisë dhe Kosovës, thuhet në konkluzionet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.(a.i & f.b)
XS
SM
MD
LG