Ndërlidhjet

Nxitje për t’u përballur me të vërtetën e historisë!


Natasha Kandiq

Natasha Kandiq

Natasha Kandiq ka qenë cak i shpeshtë i kërcënimeve me vdekje dhe i presionit. Por, avokatja mbi 60-vjeçare ende udhëton me autobus publik për në punë. Ajo thotë se një gjë e tillë i jep shansin e vlefshëm për të biseduar me njerëz të zakonshëm – tifozë dhe kritikë.

Për zonjën Kandiq, e cila ka kaluar dy dekadat e fundit në mbrojtjen e viktimave të luftës dhe në sfidimin e elitës serbe për t’u ballafaquar me krimet e së kaluarës, etja për dialog tejkalon çdo ndjenjë të frikës.

Jam aktiviste e të drejtave të njeriut dhe kjo është zgjedhja ime në jetë.
Jam aktiviste e të drejtave të njeriut dhe kjo është zgjedhja ime në jetë. Jam frikësuar vetëm njëherë, pas pavarësisë së Kosovës, sepse mediat dhe njerëzit e zakonshëm janë ftuar nga institucionet shtetërore të jenë kundër meje, pasi unë jam treguar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Por jo, nuk trembem. Jam shumë e shqetësuar vetëm për situatën në Serbi”, thotë Kandiq.

Ajo është themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, njëra nga organizatat kryesore të të drejtave të njeriut që bën përpjekje për paqe dhe pajtim në Ballkan.

E themeluar në vitin 1992, qendra është angazhuar të dokumentojë dhe të ndjekë penalisht rastet e dhunimit, torturën dhe vrasjet e kryera gjatë luftërave brutale etnike, që tronditën ish-Jugosllavinë në periudhën 1991-1999.

Kandiq është marrë me sigurimin e provave të rolit të Serbisë në masakrën e vitit 1995, të mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Publikimi i videos që dokumenton “Shkorpionët” - paralmilitarët serbë - teksa ekzekutojnë gjashtë myslimanë boshnjakë, i çoi autorët e Srebrenicës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte.

Kandiq ka raportuar edhe për mizoritë e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, në periudhën 1998-1999. Ekzekutime, burgosje arbitrare dhe plaçkitje kanë ndodhur në atë që është karakterizuar si fushatë e spastrimit etnik në Kosovë.

Shaun Xhons, hulumtuese për Ballkanin pranë Organizatës Amnesty International, thotë se Kandiq ka ndihmuar në bindjen e viktimave kosovare për të dëshmuar kundër sulmuesve të tyre serbë.

Ajo e ka bërë atë në rrethana shumë, shumë të vështira dhe me shumë kundërshtime”, thotë Xhons.

Kundërshtime ka nxitur edhe beteja e fundit e Kandiqit.

Duke cituar dëshmitë e Hagës, avokatja ka deklaruar se shefi i ri i shtabit të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, nuk është i përshtatshëm për postin, për shkak të krimeve të dyshuara të luftës - përfshirë masakrën e të paktën 130 shqiptarëve të Kosovës në fshatin Izbicë - të kryera nga pozicioni i oficerit komandues.

Kandiq pranon se Dikoviq dhe njësiti i tij mund të mos kenë luajtur rol direkt në vrasje. Por, dështimi për t’i parandaluar ato është faj, thotë ajo.

Nëse Serbia do të ndërtojë një të ardhme premtuese, duhet t’i hedhë një vështrim të ndershëm të kaluarës së saj, shton Kandiq.
Nëse duam ndryshime, nëse duam të ardhme demokratike, nëse duam ta shohim Serbinë anëtare të Bashkimit Evropian, ne kemi nevojë për njerëz të rinj...

Nëse duam ndryshime, nëse duam të ardhme demokratike, nëse duam ta shohim Serbinë anëtare të Bashkimit Evropian, ne kemi nevojë për njerëz të rinj, që do ta merrnin përgjegjësinë për abuzimet e së kaluarës dhe do ta vendosnin të ardhmen në respektin e viktimave”, thotë Kandiq.

Fama e Kandiqit në Serbi ka kontrast të madh me një sërë çmimesh dhe titujsh ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut.

Por, megjithatë, ajo ka admiruesit e saj edhe në Beograd. Sandra Orlloviq, zëvendësdrejtore ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare, ishte e re në fushën e ligjit, kur iu bashkua ekipit të Kandiqit në vitin 2004.

Gjëja e parë që ka mësuar nga shefja e saj është: “Ne duhet të mbështetemi në fakte, në të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur në ish-Jugosllavi”.

Ajo ka vazhduar të jetë e pranishme në Kosovë dhe të dokumentonte të gjitha gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur atje. Përshtypja kryesore nga Natasha është se ajo nuk frikësohet dhe se do të rrezikojë gjithçka për të vërtetën e viktimave dhe të të drejtave të tyre”, thotë Orlloviq.(v.t.)
XS
SM
MD
LG